Ditën e sotme, në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, u zhvillua konferenca për shtyp e trajnerit të Kombëtares A për femrat, Vioresin Sinani dhe U-19 së femrave, Maringlen Kule.
Të dyja skuadrat do të grumbullohen në Durrës për 4 ditë, deri në daten 28 shkurt 2019. Në fjalën e tij, trajneri i kombëtares A të femrave u shpreh:
“Mendoj se është momenti i duhur për të zhvilluar këtë grumbullim 4-ditor në qytetin e Durrësit, në këtë trajnim kemi grumbulluar futbollistet që luajnë në vendin tonë sëbashku me disa vajza që luajnë në Kosovë.
Kjo fazë do na shërbejë për të gjetur ndonjë element të ri, të cilat do na bëhen pjesë për ndeshjet kualifikuese. Si futbollistet që luajnë këtu si ato që aktivizohen në Kosovë, janë pjesë e Kombëtares sonë, qëllimi është të shikojmë gjendjen e tyre.
Kemi një bazë të mirë të ekipit sëbashku me vajzat që luajnë jashtë. Ekipi që drejtoj ka nevojë edhe për 3-4 elementë të rinj që të konsolidohet sic duhet.
Unë uroj shumë që ashtu si Megi Doçi edhe vajzat e tjera të ekipit përfaqësues të japin më të mirën, sikurse kam bindjen që në eliminatoret e rradhës do të zhvillojmë ndeshje të mira.
Sa u përket objektivave, ne e dimë forcën e ekipit përfaqësues dhe mendoj që hap pas hapi do e rrisim nivelin dhe objektivat do të jenë më të larta. Ekipi që drejtoj ka ardhur në rritje dhe është më kompakt, pasi eksperienca vjen në rritje.
Për sa u përket eliminatoreve në vijim, sidomos në ndeshjet që kemi në Shqipëri, do të luftojmë për rezultate pozitive ” – u shpreh Vioresin Sinani.
Trajneri i kombëtares U-19 për femrat, Maringlen Kule, theksoi:
“Falenderoj Presidentin e FSHF-së për besimin e dhënë, është një privilegj i madh për mua të jem trajner i kombëtares së femrave U-19.
Ky grumbullim, ashtu sic u shpreh edhe profesor Sinani i kombëtares A, do na shërbejë për të mësuar gjendjen e ekipit të vajzave që drejtoj. Duke qenë së grupi eliminator ku do të ndeshemi këtë vit është i fortë do mundohemi të punojmë sa më mirë që të marrim rezultate pozitive.
Në përfaqësuesen që do të drejtoj ka vend për të gjitha vajzat e talentuara që luajnë futboll, kam pritshmëri edhe nga vajzat që luajnë jashtë që do ti bashkohen grupit në grumbullimet e rradhës.
Me ekipin e U-19 është bërë një punë shumë e mirë nga ish-trajneri Dede, i vetmi problem që shikoj tek kjo moshë dhe angazhimi i tyre në futboll është stërvitshëmeria në klubet e tyre.
Futbolli i femrave po të bëhet një punë e mirë do të vijë në rritje, është shumë e rëndësishme stërvitshmëria e futbollisteve” – përfundoi Kule.