MENU
klinika

kultura moderne

Mbreteria letrare e Bertold Breht

10.02.2019 - 14:47

“U ula nga ana e gabimit, sepse vendet e tjera ishin zënë”.

Sot bota e letrave feston përvjetorin e lindjes së një prej njerëzve më të mëdhenj dhe më me ndikim të shekullit të njëzet: Bertold Breht, poet, dramaturg dhe regjisor gjerman.

Ndër veprat e tij më të rëndësishme ne me siguri kujtojmë “Tamburet e natës”, “Opera për tre grosh”, gjithsesi sukseset e Bertold Brehtit janë shumë më shumë. Është autori i poezive të shumta, që mund të konsiderohen ndër më të prekshmet e lirikës gjermane të shekullit të njëzet. Shkrimi i tij poetik është i drejtpërdrejtë, ai dëshiron të jetë i dobishëm, ai nuk na shpie në asnjë botë fantastike apo enigmatike. Megjithatë, ka një bukuri, një bukuri që është vështirë të shmanget.

Lindi më 10 shkurt 1898 në Augsburg (Bavari) në një familje të pasur. Aderoi në lëvizjen marksiste dhe zhvilloi teorinë e teatrit epik, sipas të cilit gjatë shfaqjes shikuesit nuk duhet të identifikohen me vetveten, përkundrazi duhet të përpiqen të mbajnë një distancë kritike, për të reflektuar mbi atë që shikojnë në vendngjarje. Në vitin 1928 Bertold Breht shkroi veprën madhore “Opera për tre grosh”.

Kritik ndaj shoqërisë së kohës, Breht në vitin 1933, kur vjen nazizmi në pushtet detyrohet të largohet nga Gjermania. Për 15 vjet bën jetën e një pelegrini nëpër vende të ndryshme, pas vitit 1941 vendoset në Amerikë, por pas mbarimit të luftës ngjall dyshime tek autoritetet amerikane për polemikat e tij politike dhe sociale, si rrjedhojë zhvendoset në Republikën Demokratike Gjermane në Berlin, ku hap edhe një fondacion të tijin. Breht e donte artin kinez, madje në disa prej veprave të tij hasim shpesh referenca të Kinës dhe qytetërimit kinez.

Brehti, së pari, ai ishte një poet i mrekullueshëm, me stile dhe gjendje shpirtërore të ndryshme. Po ashtu, si dramaturg ishte një punonjës i palodhur. Si teoricien, një pjesë të mirë të parimeve i bazoi tek parapëlqimet vetjake, madje edhe nga gabimet e tij.

Në të vërtetë, sa i përket marrëdhënieve njerëzore, Brehti qe një egocentrik i zhveshur nga skrupujt, ushqyer vazhdimisht nga energjia krijuese dhe intelektuale e të tjerëve, një joshës i sprovuar me femrat të cilat dinte si t’i miklonte dhe t’i bënte të punonin për të. Krijimtaria e tij letrare përfshin një gamë të gjerë poezish, dramash, ndër të cilat të njohura në mbarë botën “Arturo Ui”, “Jeta e Galileut”, “Poezi”, “Opera për tro grosh” etj. Vdiq më Berlin më 14 gusht 1956 në moshën 58 vjeç nga një atak zemre.

Tymi

Shtëpisë e vogël nën pemët në bregdet

Nga oxhakët mbi çati ngrihet tym.

Po të mungonte tymi,

Sa të mjera do të ishin vërtet

Shtëpi, pemë dhe det.

Mikesha

Më pyet ç’është dashuria,

Po unë nuk e kam ndjerë.

Më pyet ç’është gëzimi,

S’e pashë të ndriste në terr.

Më pyet ç’është brenga,

Atë që po e njoh.

Atë e kam mikeshë,

Ajo mua më do.

Aforizma nga autori:

“Të hezitosh është gjë e mirë, nëse pastaj bën atë që duhet bërë”. 

“Ligji është bërë posaçërisht për ata që nuk e kuptojnë, ose për ata të cilëve nevoja nuk ua lejon që ta respektojnë”.

“Njerëzit që lajnë duart e pafajshme, në realitet i lajnë në një legen plot me gjak”.

“Kush nuk njeh të vërtetën është thjesht i papërgatitur, por kush e njeh dhe e quan gënjeshtër, është keqbërës”.

E vërteta është pjellë e kohës dhe jo e autoritetit”.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit