MENU
klinika

Reagimi i Flamurtarit

“Partizani përgjegjës, precedent i rrezikshëm”

25.02.2019 - 12:27

Pas Partizanit, tifozërisë së kuqe dhe FSHF-së, ka reaguar edhe Flamurtari pas sulmit që iu bë zyrtarit vlonjat Shkëlqim Ramaj (fotograf dhe zëdhënës klubi).

Nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, ka reaguar vetë klubi i Flamurtarit që me prova tregon se Ramaj është një zyrtar i klubit dhe mban rolin e zëdhënësit për shtyp dhe të fotografit. Njëkohësisht, kërkohet që të dënohet dhuna e shfaqur në stadium.

REAGIMI

“Flamurtari Football Club ka qëndruar në heshtje deri tani, duke pritur dhe shpresuar që të jenë organet përkatëse në Federatën Shqiptare të Futbollit ato që vendosin, në bazë të rregulloreve, për ngjarjen e shëmtuar të së shtunës në ‘Selman Stërmasi’, ku u sulmua një zyrtar i klubit dhe një futbollist.

Përgëzojmë klubin Partizani për distancimin nga dhuna, por nuk mund të mos reagojmë kur shohim që ngjarja e rëndë kalohet në plan të dytë dhe vendoset theksi, qëllimisht, te zyrtari i Flamurtarit, i cili u sulmua nga një grup tifozësh.

Së pari, ‘personi me aparat fotografik’ është zyrtar i klubit Flamurtari, ka qenë gjithnjë në dy sezonet e fundit, është i regjistruar në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe ka funksionin e zëdhënësit dhe të fotografit, që çdo klub i ka në fushë, në bazë të rregullores dhe me aprovimin e zyrtarëve të ndeshjes.

Për këtë arsye, nëse klubi Partizani është i paqartë për rolin e zyrtarit të sulmuar gjatë ndeshjes, bën mirë të interesohet dhe të marrë informacion zyrtar në FSHF, para se të bëjë reagime publike që tentojnë të largojnë vëmendjen nga thelbi i ngjarjes.

Së dyti, ‘personi me aparat fotografik’ nuk ka luajtur asnjë rol aktiv duke provokuar tifozët. Nëse drejtuesit e Partizanit nuk e kanë këtë informacion, mund të shohin gjithë ndeshjet e fundit të Flamurtarit dhe fotot e postuara në faqen zyrtare të klubit, për të kuptuar që pas çdo goli futbollistët kanë zgjedhur atë mënyrë festimi dhe kërkojnë ata që të fotografohen ashtu, në njërin cep të fushës.

Futbollistët nuk ishin drejtuar nga tifozëria e Partizanit, në atë kënd nuk kishte tifozë dhe nuk e kuptojmë ku qëndron provokimi, kur një grup tifozësh vrapojnë, ofendojnë dhe futen në fushë, vetëm e vetëm sepse një grup futbollistësh festojnë në mënyrën e tyre modeste një gol të shënuar.

Klubi Partizani thotë se kishte ‘mungesë totale të forcave të sigurisë’, të cilët janë përgjegjësit e vetëm për mbarëvajtjen e garës dhe moslejimin e këtyre provokimeve dhe incidenteve.

Në lidhje me këtë pikë, besoj se nuk ka nevojë për shumë koment, sepse çdo njeri e di që me rregullore klubi mikpritës mban përgjegjësi për mungesën totale të sigurisë në zona të caktuara të stadiumit dhe nuk mund të justifikohet në këtë mënyrë, duke akuzuar herë zyrtarin e klubit vizitor e herë forcat e sigurisë, që në fakt janë kontraktuar nga vetë klubi që organizon ndeshjen.

Në këtë pikë, asnjë rregullore në botë nuk merret me forcat e sigurisë, të pakta apo të shumta qofshin, por me klubin, që ka dështuar në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjes.

Flamurtari shkoi në Tiranë për të luajtur një ndeshje normale futbolli, futbollistët dhe zyrtarët e saj nuk bënë asgjë për të shkatërruar mbarëvajtjen e ndeshjes dhe nuk është faji i Flamurtarit nëse siguria është në nivele minimale, apo se disa tifozë shkojnë në stadium për të shkaktuar dhunë, duke mos pranuar as golin dhe as festimin e një ekipi kundërshtar që sillet në mënyrë perfekte në fushë e jashtë saj.

Kemi respekt maksimal për çdo kundërshtar, respektojmë çdo rezultat që prodhon fusha, por nuk pranojmë që ngjarje të tilla të kalojnë në heshtje, ose duke akuzuar pikërisht Flamurtarin si fajtor, kur bie pre e dhunës, që për fat nuk degradoi në dhunë fizike ndaj futbollistëve tanë.

Bëjmë thirrje që secili të marrë përgjegjësinë që i takon dhe organet zyrtare në Federatën Shqiptare të Futbollit të zbatojnë rregulloret, si në çdo vend të zhvilluar dhe në çdo kampionat që ne synojmë ta arrijmë si nivel futbolli e organizimi.

Në rast se nuk do ketë reagim të fortë për një ngjarje të tillë, atëherë është e qartë që krijohet një precedent i rrezikshëm dhe ngjarja e së shtunës mund të përsëritet në çdo stadium, ndërsa pas saj çdo klub do të justifikohet se ‘ishin vetëm pak tifozë, nuk ka arsye për të na dënuar’.”