MENU
klinika

Vrasja e gazetarit saudit në Stamboll

Rikthehet çështja “Khashoggi”/ Erdogan: Pse hesht SHBA?

04.02.2019 - 11:07

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka sulmuar Shtetet e Bashkuara për mosmarrjen e një qëndrimi më të ashpër kundër Arabisë Saudite për vrasjen e Jamal Khashoggi, pasi ai kërkoi përgjigje nga mbretëria për vrasjen e gazetarit.

“Nuk mund ta kuptoj heshtjen e Amerikës kur ndodhi një sulm kaq i tmerrshëm dhe madje edhe pasi anëtarët e CIA-s dëgjuan regjistrimet që i dhamë”, tha Erdogan në një intervistë të transmetuar nga transmetuesi shtetëror TRT të dielën.

“Ne duam që gjithçka të sqarohet sepse ekziston një mizori, ka ndodhur një vrasje”, shtoi ai, duke e quajtur vrasjen “jo të zakonshme”.

Erdogan ka këmbëngulur se urdhri për të vrarë Khashoggin në konsullatën e mbretërisë në Stamboll katër muaj më parë erdhi nga nivelet më të larta të qeverisë saudite. Në intervistë, Erdogan tha se vrasja ishte planifikuar nga 22 vetë, 15 prej të cilëve arritën në Stamboll dhe vizituan konsullatën në ditën e vrasjes.

Komentet e fundit të Erdogan erdhën pasi Agnes Callamard, raportuesi special i OKB-së për ekzekutimet jashtëgjyqësore, të dielën përfundoi një udhëtim njëditor në Turqi për të mbledhur informacion mbi ngjarjet rreth vrasjes së Khashoggit katër muaj më parë.

Callamard ka dëgjuar audiot e momenteve të fundit të gazetarit saudit, të cilat i zotëron Turqia dhe më herët janë ndarë me drejtorin e CIA-s Gina Haspel, si dhe me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë.

Khashoggi, një kontribues i Washington Post dhe kritik i princit të kurorës saudite, Mohammed bin Salman, u vra më 2 tetor menjëherë pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë dokumentet për martesën e tij të planifikuar.

Agjencitë e inteligjencës amerikane thuhet se kanë arritur në përfundimin se Princi Mohammed, i njohur gjithashtu si MBS, urdhëroi vrasjen e Khashoggit.

Në dhjetor, Senati i SHBA miratoi një projektligj që fajësonte drejtpërdrejt princin saudit për vrasjen dhe urdhëroi ushtrinë amerikane të ndërpresë të gjithë ndihmën ndaj luftës së udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen. Presidenti i SHBA, Donald Trump, megjithatë, ka insistuar në mënyrë të përsëritur se nuk ka prova përfundimtare që lidhin MBS me krimin.