Juventus është munduar të lërë pas humbjen e turpshme në Kupën e Italisë ndaj Atalantës, por ka ngecur 3-3 me Parmën në “Allianz Stadium”, ku Cristiano Ronaldo shënoi dy gola.
Ishte një ndeshje historike e miqve të cilët kanë luajtur pa frikë ndaj bardhezinjve dhe në fund e kanë merituar pikën e fituar. Ronaldo kaloi të tijtë në avantazh në pjesën e parë me një gol me fat.
Pas pushimit Rugani dyfishoi rezultatin përpara se Barilla të ngushtonte diferencën. Por Ronaldo shënoi përsëri me një goditje me kokë dhe aty u mendua se gjithçka kishte përfunduar, por jo.
Gervinho rihap sfidën me një gol me finte dhe në fund të takimit ka shënuar golin e barazimit. Goditja e tij nuk ishte e pakapshme dhe mbase po të kishte qenë një Buffon në portë edhe mund ta kishte pritur, por Perin e ka lejuar të shkojë në rrjetë.
Ronaldo ka shënuar golin e 17-të në Serie A, lojtari i parë i Zonjës që e bën një gjë të tillë në sezonin e parë që pas David Trezeguet.