Nuk ka vonuar shumë goli i parë i Armando Sadikut pas rikthimit te Lugano në Zvicër. Ai ka arritur të realizojë që në ndeshjen e tij të parë zyrtare si titullar me fanellën e Luganos.
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare kishte luajtur vetëm pak minuta në dy takimet e mëparshme më klubin e tij në kampionat, ndaj Sion dhe Thun.
Por sot, kur iu dha mundësia që të luante që nga minuta e parë, Sadiku nuk zhgënjeu, duke gjetur rrugën e rrjetës që në minutën e 32-të të takimit me rastin e parë që iu shfaq në këtë sfidë.
Ai realizoi me kokë pas një harkimi nga e djathta, duke treguar nuhatje të admirueshme para portës e konfirmuar se mungesa e gjatë nga fushat e lojës nuk i ka zbehur aspak aftësitë e tij prej golashënuesi.
Kjo është hera e tretë që Sadiku luan me fanellën e Luganos dhe duket qartësisht që si në dy eksperiencat e para, nuk do ta ketë të vështirë të lërë shenjë në klubin zviceran me golat e tij.