MENU
klinika

Letersia botërore

Selma Lagerlof, adepte e imagjinatës ekstravagante

05.02.2019 - 16:05

“Të dhurosh do të thotë t’i japësh një tjetri atë që do të doje ta mbaje për vete”.

Selma Ottilia Lovisa Lagerlof lindi në Marbacka, Suedi, më 20 nëntor 1858, novelistja suedeze e njohur në mbarë botën për librin e mrekullueshëm “Udhëtimi i Nils Holgersonit”. Historia e Nilsit, djalit çapkën, i cili, për t’i luajtur një rreng xhuxhit, kukudhi i folklorit suedez,  zihet ngushtë.

Djaloshi fluturon me patat e egra, duke ndërmarrë një udhëtim të mrekullueshëm përmes Suedisë.

Selma Lagerlof, shkrimtarja e mirënjohur skandinave është femra e parë që u nderua me çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1909, po ashtu qe femra e parë që ulej në Akademinë Suedeze më 1914. Romani i saj pacifist “I dëbuari” u botua në vitin 1918.

Universi i Selma Lagerlofit është i populluar nga magjistarët, shpirtrat e këqij të pyllit, kukudhët e zinj, por edhe zogjtë shpëtimtarë, ka një përsosuri bashkimi i hijes dhe i dritës.

Ky univers sa onirik, aq edhe poetik shpaloset në gjithë tregimtarinë e shkrimtares, në romanet e saj të çuditshëm, mbushur gjithë dashuri, mbi të gjitha në historinë e saj madhështore: “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit”.

E konsideruar shpeshherë si shkrimtarja që di të kalojë nga e kaltra e natës tek e kaltra e dëborës. Në veprat e saj kompozicioni ndjek rrjedhën normale, porse gjithnjë arrin të na trallisë, romane të cilët thuajse kurrë nuk na ofrojnë një veprim apo një ide në vijimësi logjike.

Jo rrallë ndodh që tregimet të na paraqiten me copëza. Në këtë kompozicion episodik, rrethanat e veprimit rishfaqen dhe ndërlidhen me mjeshtëri. Vijimësia e stinëve, sikurse edhe përdorimi i disa ngjyrave të caktuara që rishfaqen, në të vërtetë shndërrohet në një “epope të përsosur”, në fije që bashkon mozaikun e ngjarjeve me një seri tablosh të ndryshme.

Selma Lagerlöf ishte vetëm 32 vjeç kur botoi romanin “Saga Gosta Berling”, histori që zhvillohet në Varmland, një rajon në Suedinë veriore. Lagerlof shpiku një mënyrë të re në mjeshtërinë e të shkruarit, me më shumë fantazi dhe bukuri në vend të realizmit, që në atë kohë dominonte literaturën suedeze.

Një ndihmesë të madhe në famën e autores ka luajtur edhe kritiku më me ndikim i asaj epoke në Skandinavi, Georg Brandes. Suksesi i vërtetë i erdhi pas botimit të vëllimit me tregime: “Lidhjet e padukshme” (1894), ndjekur nga “Mrekullitë e Antikrishtit” (1897), një roman orientuar drejt politikës në Sicili, si dhe “Çifligu i vjetër” (1899), që, përmes një historie të komplikuar dashurie, ngre pyetje themelore rreth krijimtarisë dhe çmendurisë.

Kritikë të ndryshëm mendojnë se shkrimtarja duke krijuar portrete të grave i përafrohet një gjuhe plastike të piktorit, e cila për lexuesin duket si e vërtetë, për shembull tek rasti i personazhit të Marian Sinkklerit.

Përshkrimi i hollësishëm i fytyrës së saj të bukur, linjat e mprehta dhe ngjyrat e bukura, jep si rezultat një objekt real arti që qëndron kundër një sfondi të bardhë.

Veprat e Lagerlofit janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë, një pjesë e mirë e të cilave janë përshtatur teatër, opera ose kinema etj.

Selma Lagerlof vdiq në Marbacka më 16 mars 1940, por krijimtaria e saj është ende moderne dhe e kohës.

 

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!