Javën e shkuar u zhvillua Konferenca e 55 e sigurisë globale në Mynih. Kjo konferencë, që nga krijimi, ka marrë vit pas viti një rëndësi të madhe, pasi ngelet ndoshta forumi më i rëndësishëm botëror, ku debatohet dhe shpalosen vizione për problemet e gjeopolitikës dhe sigurisë botërore.
Këtë vit figura qendrore ishte kancelarja gjermane Merkel, që në fjalimin e saj paraqiti vizionet e Gjermanisë për një sërë problemesh ndërkombëtare. SHBA përfaqësohej nga zëvendëspresidenti Mike Pence, që edhe ai paraqiti problematikën ndërkombëtare nën këndvështimin e administratës Trump.
Si asnjëherë tjetër, u vu re një kundërvënie e vështrimeve gjeopolitike ndërmjet Merkel dhe Pence, që pasqyrojnë në fakt edhe stadin e marrëdhënieve midis 2 vendeve, që tashmë nga ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë para dy vitesh, kalojnë momente komplikacionesh jonormale midis dy aleatëve.
Që midis Trump dhe Merkel nuk ka një simpati personale, kjo tashmë është e njohur, por shkalla e diferencave që kanë dy administatat për një sërë problemesh, këtë radhë me të vërtetë ishte shumë e dukshme.
Foto e marrë nga Unian
Në radhë të parë Merkel u shpreh kundër abandonimit të traktatit INF, për ndalimin e raketave me rreze të mesme veprimi, duke e konsideruar një rrezik shumë të madh për sigurinë në Europë.
Merkel u shpreh kundër mundësisë së rivendosjes së raketave me rreze të mesme në Europë, pasi kjo do ta ekspozonte përsëri kontinentin e vjetër në një mundësi konfrontimi atomike me pasoja katastrofike.
Pavarësisht se ajo ra dakord në një farë mënyre me teorinë e SHBA se është Rusia fajtore për shkeljen e këtëj traktati, ajo kërkoi me forcë si nga Rusia, ashtu edhe SHBA që të gjendet gjuha e përbashkët për ruajtjen e këtij traktati, që ka luajtur një rol deçiziv në garantimin e paqes në Europë.
Së dyti, ishte problemi i marrëdhënieve strategjike me Rusinë, dhe në mënyrë të veçantë politika energjetike, që me gazsjellësin Nord Stream-2 ka krijuar një ndarje jo të vogël, jo vetëm midis SHBA dhe Gjermanisë, por edhe brenda vendeve të Europës.
Merkel shpalosi vizionin e saj strategjik se nuk duhet të braktisim marrëdhëniet me Rusinë dhe ta izolojmë atë, pasi kjo do të sillte një afrim të saj me Kinën dhe kjo për Perëndimin do të jetë me pasoja të mëdha gjeopolitike në të ardhmen.
Merkel iu kundërvu tezës se Nord Stream-2 do të forcojë varësinë e Gjermanise nga gazi rus, dhe lidhur me këtë, ajo deklaroi se edhe gjatë Luftës së Ftohtë, Gjermania ka importuar gaz nga Rusi, madje në sasi edhe më të mëdha sesa sot, dhe sipas saj kohët atëherë nuk ishin më të mira sesa sot, përkundrazi ishin shumë të rrezikshme.
Në fakt Merkel ka edhe një problem tjetër, që lidhet me ekonominë gjermane, që sipas shumë ekonomistëve, ka filluar që nga dhjetori i shkuar një lloj frenimi, dhe në sfond po duket mundësia reale e një recesioni ekonomik.
Merkel është shumë sensibile në këtë pike, pasi që nga viti 2005, kur ajo u bë kancelare, Gjermania ka njohur vetëm rritje ekonomike, që ka përbërë dhe pikën e saj më të fortë të lidershipit të saj politik.
Në këto kushte të reduktosh gazin rus me një cmim të favorshëm, me fonde alternative LNG amerikane, që kushtojnë 30% më shtrenjtë, në këtë situatë frenimi ekonomik është me shumë pasoja për ekonominë gjermane dhe kompeticionin e saj botëror.
Foto e marrë nga Washington Post
Gjithashtu Merkel ka edhe një frikë tjetër, që duket se ka një bazë reale. Rusia njoftoi se gazsjellsi Power of Siberia, që do të eksportojë mbi 38 miliard metër kub gaz në vit drejt Kinës, do të futet në punë në fillim te dhjetorit, 2 muaj para parashikimit, dhe ky është një problem jo i vogël gjeoekonomik. Kina për vitin 2018 rezultoi importuesja dhe konsumatorja më e madhe në botë për gazin natyror.
Funksionimi i këtij gazsjellësi të ri do ta vendosë Rusinë në pozita më të favorshme tregu, pasi mund të lëvizë në të dy krahët, dhe mund të refuzojë kërkesat e BE për të vazhduar tranzitin nëpërmjet Ukrainës, që Moska nuk ka dëshirë ta vazhdojë mbas vitit 2019, kur kjo marrëveshje skadon.
Me këtë shpjegohet edhe koncepti gjeostrategjik për Rusinë dhe vendosmëria e Gjermanisë për të mbështetur me çdo kusht ndërtimin e Nord Stream-2, pavarësisht kundërshtimeve të SHBA dhe aleatëve.
Së treti, një pikë tjetër që ka acaruar së tepërmi SHBA, është pozicioni i Gjermanisë në lidhje me marrëdhëniet me Iranin.
Gjermania, së bashku edhe me vendet europiane nënshkruese të marrëveshjes, Franca dhe Britania e Madhe, nuk janë dakord me pozicionin drastik të SHBA, për të reduktuar në zero marrëdhëniet ekonomike me Iranin, dhe po tentojnë të vazhdojnë tregtinë me Iranin në euro, duke anashkaluar dollarin.
Merkel parashtroi në konferencë një qasje tjetër lidhur me Iranin. Për 40 vjet që Iranin e qeverisin ajatollahët dhe politika e bllokadës, nuk është se ka dhënë rezultate. I vetmi rezultat konkretisht ishte marrëveshja, që e detyroi Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor ushtarak, në këmbim të marrëdhënieve normale ekonomike. Kështu që ajo mendon se më mirë të arrijmë qoftë edhe pak, duke mbajtur marrëdhënie, duke ushtruar presion, sesa të presim çdo lidhje, duke e shtyrë regjimin drejt aleancave strategjike me Rusinë dhe Kinën, dhe duke rifilluar programin bërthamor ushtarak.
Foto e marrë nga News Beezer
Nga ana tjetër, në kushtet e një krize ekonomike që po duket, çmimi i naftës për Gjermaninë, që importon 90% të saj është me rëndësi jetike për ekonomine e saj. Në kushtet kur leja 6-mujore, që SHBA iu kanë dhënë 8 vendeve që ta vazhdojnë tregtinë e naftës, mbaron në mars, do të thotë që Irani mund të reduktojë me rreth 1,5 milion fuçi në ditë eksportin e naftës. E kombinuar kjo me embargon e naftës, të vendosur javën e shkuar ndaj Venezuelës, që mund të heqë nga tregu edhe 1 milion fuçi të tjera, mund të sjellë një eksplodim të çmimit te naftës, që mund të kapë lehtësisht 100 dollarë për fuci, dhe kjo për ekonominë gjermane, që është e varfër në burime energjetike, mund të ketë pasoja devastante në kompeticionin e saj, dhe në uljen e eksporteve, që vitin e shkuar kaluan rekordin historik të 1 triliard dollarë.
Pra, ka një sërë çështjesh të një rëndësie të jashtëzakonshme se përse Gjermania ka filluar të mendojë dhe veprojë ndryshe nga SHBA, dhe këtu nuk hyjnë marrëdhëniet e simpatisë apo antipatisë midis dy liderave. Në lojë janë interesa të fuqishme ekonomike, që determinojnë dhe pozicionet politike dhe gjeopolitike të ndryshme, siç u duk qartësisht në Konferencën e fundit të Mynihut.