Tre gola për një mesfushor me tipare mbrojtëse, në një kampionat si ai i Serie B në Itali janë shifra të mira, për më tepër kur skuadra merr pikë dhe kryeson.
Sonte, futbollisti i Kombëtares shqiptare, Emanuele Ndoj, ka qenë vendimtar për Brescia-n në sfidën kundër Padova-s, zhvilluar në fushën e kësaj të fundit.
Mesfushori kuqezi ka shënuar golin e barazimit për Brescian në transfertë, duke i dhënë një pikë me mjaft vlerë, por mbi të gjitha duke shpëtuar ekipin nga humbja.
Ishte minuta e 78’, kur sfida ishte 1-0 në favor të Padovas dhe Ndoj vendos barazpeshën në fushën e lojës. Me barazimin e sotëm Brescia mbetet në vendin e parë të renditjes në Serie B me 47 pikë.
Ky ishte goli i tretë për këtë sezon për Ndojin, për më tepër Brescia kryeson bindshëm dhe është pranë rikthimit në Serie A pas kaq vitesh. Jo më kot mediet italiane shkruanin dje se Ndoj është një nga 5 më të mirët në Serie B.