Teuta është ndalur përsëri në shtëpi, duke humbur terren sa u përket skuadrave të kreut. Durrsakët janë ndalur në një barazim pa gola në takimin e ndaj Kamzës.
Skuadra e Bledi Shkëmbit ishte më dominuesja në këtë ndeshje, por në fund të 90 minutave, durrsakët u larguan nga fusha me vetëm një pikë.
Ky është barazimi i tretë radhazi për Teutës, që në 2019-ën ende nuk e ka gjetur fitoren në Kategorinë Superiore. Ndërkohë, skuadra e Ernest Gjokës merr një pikë do t’i vlejë shumë në garën për mbijetesë.
Teuta ka humbur edhe një penallti me Kallakun në mesin e pjesës së parë, teksa topi prek shtyllën dhe përfundon jashtë, ndërsa portieri mik ishte hedhur në krahun tjetër.
Pjesa e parë ishte e barabartë me raste në të dyja palët, ndërsa në të dytën vendasit ishin tërësisht dominues, por mbrojtja e Kamzës e bëri siç duhet detyrën duke ndalur sulmet e njëpasnjëshme të vendasve.
Teuta – Kamza 0-0
Teuta: Hidi, Frashëri (Beqja 63′), Osmani, Arapi, Hakaj, Sidibe, Gashi (Latif 46′), Kallaku, Traore, Kamara, Progni. Trajner: Bledi Shkëmbi.
Kamza: Avdyli, Qaqi, Beqiri, Bitri, Orelesi. Rezi, Mehmeti (Mumajesi 82′), Malaj, Fukui, Plaku (Zisi 93′), Martinena (Shala 73′). Trajner: Ernest Gjoka
Gjyqtarë: Ardian Beqiri, Denis Rexha, Dojando Myftari, Klajdi Kola