Tirana ka marrë një nga fitoret më të bukura të sezonit, teksa ka shënuar në fund dhe ka triumfuar 2-1 ndaj Skënderbeut në Korçë.
Një aksion shumë i bukur mes sulmuesit Ngo, Hasanit dhe Grecës gjejnë të papërgatitur mbrojtjen e Skënderbeut dhe Kobina është në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të shtyrë topin drejt rrjetës në minutën e 26-të.
Skënderbeu u mundua të reagojë pas disavantazhit dhe vetëm në sekondat e fundit të pjesës së parë, arritën të shënonin. Mesfushori Sibo është në fund të një aksioni shumë të bukur të “Ujqërve” dhe nga një distancë e afërt, nuk e ka të vështirë të mposhtë portierin Abibi.
Pjesa e dytë foli në favor të Skënderbeut, që mori në kontroll qarkullimin e topit, ndërsa Tirana i besoi kundërsulmeve. E pikërisht nga një kundërsulm, Tirana arriti triumfin.
Kërçiku bën sulmuesin në krahun e djathtë, duke dribluar dy futbollistë kundërshtarë poshtë këmbëve dhe duke shërbyer për Majkëll Ngoo.
Britaniku e ndal mirë, godet me të djathtën dhe ndëshkon portierin Dajsinani, që qëndron i palëvizur. Ky gol në minutën e 89’ i dha fitoren Tiranës, një triumf shumë i rëndësishëm.
SKËNDERBEU-TIRANA 1-2
Sibo 45′ / Kobina 26′, Ngo 89′
Skënderbeu: Dajsinani, Dita, Radash, Pëllumbi, Abazi (Mara 70′), Sibo, Taipi, Gripshi, Muzaka, Pervan (Asani 76′), Krasniqi Trajneri: Orges Shehi
Tirana: Abibi, Kërçiku, Turtulli, Atinga, Imami, Karabeci, Maveje, Kobina (Doka 51′), Greca, Hasani, Ngo. Trajneri: Ardian Mema
Gjyqtarë: Laver Alla, Ilir Tartari, Edlir Malo, Devis Korreshi;
Kartonë të verdhë: Maveje 32’, Atinga 41′, Kërçiku 75′