MENU
klinika

Albert Çaçi

“Xhihadistët e mbetur në derë”

22.02.2019 - 14:49

Lufta në Siri po shkon drejt fundit. Mbas 7 vitesh, mbi 500 mijë të vrarë, rreth 5 milion refugjatë mbi 100 miliard dollarë dëme, të gjithë tashmë po deklarojnë se fituan. Nuk ka patur mbas Luftës së Dytë Botërore një konflikt ku të jenë implikuar direkt ose indirekt kaq shumë shtete me interesa kaq të kundërta midis tyre.

Dhe tashmë asnjë shtet nuk deklaron se ka humbur, por të gjithë, sipas mënyrës së tyre, shpallen fitues të kësaj lufte.

I vetmi, që natyrisht po zhduket nga faqja e dheut, është organizata monstër e ISIS që kreu në këto vite krime të denja vetëm për hitlerianët.

Është shumë e vështirë t’i japësh sot përgjigje pyetjes se si dhe kush i financoi dhe armatosi një ushtri të tillë, që në momente te caktuara arriti deri në 60 mijë anëtarë, dhe që për nga kapacitetet luftuese dhe vendosmërinë, ia kalonte edhe shumë ushtrive arabe të rajonit.

Por tashmë të gjithë bien dakord se një nga objektivat kryesore të gjithë luftës në Siri ishte largimi i Asadit dhe zëvëndësimi i tij me të ashtuquajturit rebelë, që sipas situatave të luftimeve deklaroheshin si të moderuar, shumë të moderuar, gjysmë të moderuar, përçues të demokracisë etj etj.

Në fakt, ndërhyrja e këtyre foreign fighters dhe implikimi i shumë shteteve të huaja për interesa gjeopolitike, nuk i la sirianët që e nisën të parët për të rrëzuar Asadin si në Tunizi, Egjipt, pasi lufta mori një karakter tjetër, dhe ndërhyrja e Rusisë dhe Iranit determinoi qëndresën në pushtet të Asadit.

Madje Asadi i konsolidoi më tepër aleancat e tij dhe ka nisur një riarmatosje të Sirisë, që tashmë shqetëson shumë Izraelin, pasi ndryshon ekuilibrat ushtarakë në rajon.

Nga ana tjetër problemet që e nisën luftën, janë ende prezente, dhe në çdo moment, mund të ketë përshkallëzime të rrezikshme.

Ekuacioni është me shumë të panjohura, pasi ka shumë probleme që kërkojnë zgjidhje, që nga çështja kurde me rrezikun e sulmit të Turqisë në Sirinë verilindore, tek rebelët akoma të padorëzuar në Idlib, tek prania e pasdaranëve iranianë pranë kufirit jugor me Izraelin, dhe deri tek pozicionimet e hesbollahëve.

Largimi i trupave të SHBA nga zona verilindore, që mbanin një ekulibër të brishtë ushtarak në terren e komplikon së tepërmi situatën.

Në këtë kuadër, këto ditë ka dalë një problem tjetër, që dukej si i lehtë në pamje të parë, por që ka komplikacione jo të vogla politike dhe juridike. Bëhet fjalë për rreth 800 xhihadistë, me shtetësi të vendeve të BE, Francë, Britani e Madhe, Gjermani, Belgjikë. Vendet Skandinave, që mbahen të burgosur nga trupat amerikane dhe kurde. Me largimin e SHBA në fund të marsit, kurdët nuk mund të garantojnë më tej sigurinë e tyre, dhe prandaj presidenti amerikan Trump bëri thirrje që vendet e BE t’i tërheqin këta që janë shtetas të tyre.

Të gjithë vendet e BE e kanë refuzuar një kërkesë të tillë, pasi problemi është i komplikuar dhe ka shumë aspekte.

Në radhë të parë është politik. Tema e terrorrizmit dhe sigurisë është nga më të ndjeshmet në vendet e BE, dhe në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj, kjo bëhet akoma më sensitive për partitë që janë në qeverisje.

Kjo jo vetëm që ngre dyshime se dikush ka stimuluar nisjen e tyre për të rrëzuar Asadin, por që tashmë që këta kanë marrë edhe ”master” në terrorrizëm në Siri, t’i rikthesh përsëri është mjaft e rrezikshme. Mbi 90% e popullsisë së këtyre vendeve është kundër kthimit të tyre.

Po problemi është akoma më i komplikuar nga ana juridike. Asnjë ligj europian nuk ndalon dot kthimin e shtetasve në vendin e origjinës, pa iu hequr nënshtetësia. Por kjo duhet të vijë mbas një procesi gjyqësor, ku të jëtë vërtetur fajësia.

Këta akuzohen për krime të kryera në një shtet tjetër, dhe aq më tepër pa një proces të rregullt gjyqësor.

Kurdët nuk janë një entitet shtetëror, ku të kenë parlamentin e tyre dhe sistemin e tyre të drejtësisë. Sipas kushtetutës së Sirisë sistemi i drejtësisë është në varësi të Damaskut.

Një variant do të ishte që këta të burgosur t’i dorëzoheshin Asadit dhe të procedohej sipas sistemit gjyqësor sirian, por SHBA është kategorikisht kundër. T’i dorëzosh drejtësisë së Asadit është i qartë verdikti. Ideja e Trump është të krijohet një lloj Gjykatë speciale në Hagë që t’i gjykojë, por edhe kjo ka probleme të juridiksionit.

Gjthashtu, këta kanë edhe familjet në këto vende, gra dhe fëmijë, që janë shtetas europianë, që i shoqërojnë, dhe këtyre nuk mund t’i ndalohet kthimi pasi nuk akuzohen për krime.

Nga ana tjetër, në burgjet e Asadit ndodhen mbi 5000 shtetas të tjerë të BE, të cilët sipas të drejtës kushtetuse europianë, duhet të përfitojnë përkujdesjen e shtetit për një proces të rregullt gjyqësor.

Tani çfarë duhet të bëjnë vendet e BE, t’iu japin mbështetje Xhihadistëve për procese të rregullta gjyqësore në gjyqet e Asadit, dhe pastaj t’i kthejnë në vendet e tyre, kur Siria ka prishur të gjitha marrëveshjet e ekstradimit pas fillimit të luftës?

Një rebus i vërtetë juridik, që për momentin vendet e BE i kanë rënë shkurt, duke deklaruar se krimet i kanë kryer në Siri dhe le të merren Asadi dhe kurdët me ta.

Në fakt këto janë pasojat e përfundimit të luftës, kur ajo merr një drejtim të caktuar.

Në rast se Asadi do të ishte rrëzuar, asnjë nga këta xhihadistë nuk do kërkonte të kthehej në Europë, pasi do ishin të impenjuar për “ndërtimin” e Sirisë së re të tipit libian.

Kështu, si në çdo fushë të jetës, me humbësit nuk ka dëshirë të merret askush, aq më tepër me terrorristë xhihadistë, që padyshim do t’i lënë siç po duket në fatin e tyre, që do ta përcaktojnë rrethanat, që mund të ofrojë situata operative në terren.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Ostpolitika e Merkel

Albert Çaçi

Super OPEC

Albert Çaçi

Berlini braktis F-35