Juventus ka siguruar një tjetër fitore në kampionat, duke mposhtur 4-1 Udinesen në shtëpi dhe tashmë diferenca me vendin e dytë shkon në 19 pikë, edhe pse Napoli ka një ndeshje më pak.
Protagonisti i ndeshjes ka qenë Moise Kean, sulmuesi 19-vjeçar i bardhezinjve, i cili ka zëvendësuar Cristiano Ronaldo-n në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kean (19 vjeç, 8 ditë) ka realizuar dy golat e parë të bardhezinjve (11′, 39′) dhe është bërë lojtari më i ri i Juventus-it që shënon të paktën dy gola në një ndeshje të Serisë A që nga koha e Giuseppe Galderisi-t (18 vjeç, 329 ditë) në shkurtin e 1982-shit.
Emre Can (67′) ka realizuar golin e tretë pas një penalltie të fituar nga Kean, ndërsa Matuidi (71′) ka kompletuar “pokerin” e bardhezinjve. Miqtë kanë gjetur golin e ngushëllimit me Lasagna-n (85′), i cili ka mposhtur Szczesny me një goditje të bukur me të majtën.
Lajmi i vetëm i keq për “Zonjën” ka qenë dëmtimi i pësuar nga Andrea Barzagli në minutën e 25-të të pjesës së parë.