MENU
klinika

Bojkoti

Arbitrat shqiptarë: Nuk dalim në fushë!

06.03.2019 - 20:34

Ngjarja e Kamzës po sjell vendime drastike në futboll. Pas dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti në fund të ndeshjes Kamza-Laci, Shoqata e Arbitrave, me president, Tahir Kastrain ka vendosur që të bojkotojë kampionatin deri në një afat të pacaktuar. 

Arbitrat ndihen të pasigurt për jetën dhe e kanë të pamundur të vazhdojnë në këto kushte, ndaj është parë e arsyeshme të merret ky vendim ekstrem, deri në zgjidhjen e situatës.

Lajmi është konfirmuar për “Panorama Sport” nga vetë kryetari, Tahir Kastrati, i cili në një prononcim të shkurtër u shpreh:

“Arbitrat nuk kanë siguri për jetën. Presim reagim nga të gjithë aktorët, ndryshe nuk zbresim në fushë. Vendimin ia kemi komunikuar FSHF-së”.

Sipas kalendarit, të premten luhen dy ndeshje të kampionatit dhe pritet të shihet nëse vërtet arbitrat do të bojkotojnë apo është thjesht kërcënim për të reaguar institucionet përkatëse, kryesisht Policia e Shtetit.

DEKLARATA

“Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar, e tronditur pas ngjarjes së dhunës ekstreme ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në Kamëz, ka marrë sot vendimin e saj për të bojkotuar ndeshjet e futbollit në nivel kombëtar.

Duke parë që nga java e parë e kampionatit dhe deri në të fundit ne ndjehemi të pasigurtë, sot ne vendosëm të themi: Mjaf! Mjaft më me kërcënime, fyrje e sharje.

Mjaft dhe kjo është shumë më serioze dhe e rrezikshme) me dhunë e ç’është më e rëndësishmja, mjaft më me pasiguri për jetën.

Njëzëri arbitrat mendojnë se eksperimenti i deritanishëm për largimin e Policisë së Shtetit nga stadiumet e futbollit ka dështuar. Zëvëndësimi i tyre me polici private është një dështim tjetër tashmë i konsumuar. 

gjyqtare
gjyqtare

Ashtu siç nuk kemi se ç’të presim më edhe nga eksperimenti tjetër i zbatimit të ligjit, i cili ka dështuar plotësisht, përderisa autorët e dhunës janë liruar sot, edhe se pamjet filmike janë shumë të qarta dhe media ka katër ditë qe e ka në qëndër të vëmëndjes këtë ngjarje.

I kërkojmë klubeve anëtare në FSHF të na mirëkuptojnë dhe të na mbështesin në vendimin që ne kemi marrë, kjo sepse vendimi që ne kemi marrë është e vetmja rrugë që gara të jetë sa më e vërtetë dhe korrekte. Mjaft u eksperimentua.

Ne kemi vendosur të mos luajmë me jetën tonë. Kështu nuk do të kthehemi për të gjykuar, deri sa të ndjehemi të sigurtë dhe Policia e Shtetit të kthehet në stadiume dhe autorët e dhunës të ndëshkohen. Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar”, – përfundon deklarata për shtyp e shoqatës së arbitrave.