Përsëri protagonist për Barcelonën. Lionel Messi edhe njëherë tjetër i ka dhënë suksesin ekipit, teksa ka dhënë asist dhe ka shënuar në fitoren 3-1 që Barcelona arriti ndaj Vallecanos.
Nuk ka qenë një fitore e lehtë për vendasit, të cilët e kanë parë veten në disavantazh në minutën e 24-t. De Tomas që ka zhbllokuar takimin pas një kundërsulmi perfekt të miqve.
Gjithsesi, festa e Vallecano-s nuk ka zgjatur shumë, me katalanasit që kanë barazuar në të 38-ën me Gerard Pique, i cili është bërë mbrojtësi me më shumë gola të shënuar me kokë në këtë sezon të La Liga-s (3).
Përmbysja e Barçës është kompletuar në minutën e 50-të të pjesës së dytë, kur Messi ka transformuar në gol një penallti të fituar nga Semedo.
Ky ka qenë goli numër 409-të i “Pleshtit” në ndeshjet e kampionatit spanjoll të luajtura me Barcelona-n, me 200 nga këto realizime që kanë ardhur në takimet e luajtura të shtunave.
Gjithashtu, argjentinasi është bërë edhe lojtari i dytë me më shumë ndeshje të luajtura në La Liga me katalanasit, duke lënë mbrapa Andres Iniesta-n. 443 ndeshje për Messi-n, 442 për ish-mesfushorin e Barçës. Vendin e parë e mban Xavi me 505.
Tetë minuta para fundit ka ardhur edhe goli i Luis Suarez, që ka fiksuar shifrat në 3-1 dhe i ka siguruar tri pikët skuadrës së Valverde-s, që kryeson renditjen me 63 pikë, shtatë më shumë se Atletico e vendit të dytë dhe 15 më shumë se Real-i i vendit të tretë.