Pas 3 humbjeve rresht, 2 eliminimeve dhe thuajse të daljes nga lufta për titull, Real Madrid është rikthyer te fitorja, duke mposhtur 4-1 Valladolid në transfertë.
Real Madrid e ka nisur keq ndeshjen. Vendësit përfitojnë penallti në minutën e 12-të me Alcaraz, por ky i fundit e humb. Ndërkohë që Valladolid iu mohua edhe një gol nga VAR.
Gjithsesi, të zotët e shtëpisë e gjejnë golin në minutën e 29-të me Tuhami. Real gjen forca dhe arrin ta mbyllë pjesën e parë në barazim, ku Varane shënon në minutën e 34-t.
Pas pushimit erdhi dopieta e Benzema brenda tetë minutave, që përmbysi gjithçka në favor të Real Madrid. Vetëm Lionel Messi (34) dhe Wissam Ben Yedder (26) kanë shënuar më shumë gola se Karim Benzema (22) këtë sezon në të gjithë kompeticionet.
Ai është lideri i këtij Reali. Real duhet ta mbyllte ndeshjen me një lojtar më pak pas të kuqit të Casemiro-s në minutën e 80’, prapëseprapë arriti të shënonte edhe golin e katërt me Luka Modric në minutat e fundit të ndeshjes.