Kombëtarja shqiptare luan sonte, në orën 20:45, ndeshjen e dytë në kuadër të eliminatoreve për Euro 2020, kësaj radhe ndaj Andorrës në transfertë.
Kuqezinjtë do të drejtohen në këtë transfertë nga Ervin Bulku (trajner emergjence), i asistuar nga veterani Sulejman Mema. Andorra e nisi njësoj si ne, me humbjen 2-0 ndaj Islandës, të premten.
Kjo do të jetë ndeshja e katërt mes këtyre dy kombëtareve. Në 3 të kaluarat, 1 fitore ka marrë Andorra dhe 2 fitore Shqipëria. Asnjë barazim mes tyre, ndërsa golaverazhi është 4:2 për kuqezinjtë tanë.
Përplasja e parë daton më 6 shkurt 2000, në kuadrin e turneut “Rothmans”, që u fitua nga Shqipëria, e drejtuar në atë kohë nga trajneri Mehdin Zhega.
Kuqezinjtë fituan 3-0, me gola të Dalipit 63′ (pen), Vata 86′ dhe Zajmi 90′. Më pas erdhi ndeshja e dytë, e luajtur në kryeqytetin e Andorrës.
Më 17 prill 2002, Shqipëria pësonte humbje shokuese në miqësore, me rezultatin 2-0, çka u shoqërua me shkarkimin e trajnerit Sulejman Demollari. Golat për vendësit mbajnë autorësinë e González 34′ (pen) dhe Jiménez 58′.
Më 2 qershor 2010 daton dueli i fundit mes këtyre dy kombëtareve. Shqipëria do të fitonte 1-0, me gol të Hamdi Salihit 44’. Bëhej fjalë për miqësore, në kohën e trajnerit kroat, Josip Kuzhe.
Kombëtarja andorase ka shijuar sukses shumë të pakët, për shkak të popullsisë dhe sipërfaqes së vogël të vendit, vetëm tri fitore, njëra prej të cilave (2-0) kundër Shqipërisë. Andorra është anëtari i pestë më i vogël i UEFA-s (vetëm Lihtenshtajn, San Marino, Gjibraltari dhe Ishujt Faroe janë më “mikroskopikë”).
Ndeshja e parë zyrtare e Andorrës ishte humbja 6-1 në miqësoren kundër Estonisë, në vitin 1996. Që nga fushata kualifikuese e “Euro 2000”, kjo kombëtare ka konkuruar në çdo raund eliminator të Kampionatit Europian dhe Kampionatit Botëror.
Sakaq, UEFA ka përcaktuar edhe gjyqtarët, që do të bëjnë drejtësi në këtë ballafaqim. Bëhet fjalë për një treshe sllovake, e kryesuar nga Filip Glova, me ndihmës František Ferenc dhe Peter Kováč.