MENU
klinika

Kërkohet rikthimi i Policisë

Dhuna në Kamëz, FSHF ndalon kampionatin

07.03.2019 - 11:25

Këtë javë nuk do të ketë futboll në vendin tonë. FSHF, pas bojkotit nga arbitrat ka vendosur që të ndalojë kampionatin.

Mësohet se arbitrat janë lajmëruar se nuk do të shkojnë në takimet dhe kjo vlen për të gjitha kategoritë e kampionatit në vendin tonë.

E gjitha vjen si reagim pas dhunës ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në ndeshjen Kamza-Laçi, ku vendasit janë përjashtuar nga ky kampionat dhe do ta nisin vitin e ardhshëm nga Kategoria e Dytë.

Ndërkohë, FSHF dhe Shoqata e Arbitrave kërkon që në stadiume të rikthehet policia, në mënyrë që të sigurohet rendi.

Ditën e sotme, institucioni më i lartë i futbollit në vend ka  lajmëruar edhe klubet për këtë situatë. Nuk dihet ende se kur do të zhvillohet java e 25-të e kampionatit, me ndeshjet që ishin parashikuar të luheshin ditën e premte dhe të shtunë.

DEKLARATA E FSHF

“Federata Shqiptare e Futbollit ju bën me dije se të gjitha ndeshjet e kampionatit kombëtar të futbollit të planifikuara këtë fundjavë nuk do të zhvillohen si rrjedhojë e vendimit të marrë nga Bashkimi Arbitrave Shqiptar të Futbollit (BASHF) për të bojkotuar të gjitha ndeshjet deri në rikthimin e Policisë së Shtetit në stadiume.

FSHF shpreh mbështetjen maksimale ndaj të gjithë trupës arbitrale në Shqipëri dhe vlerëson e respekton vendimin e marrë prej tyre.

Ne kërkojmë reagimin e të gjithë aktorëve për të larguar përfundimisht dhunën, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në stadiume, si parakushti themelor për të pasur një garë të shëndetshme dhe brenda standarteve.”