Për dy çështjet e diskutuara dje dhe sot në futbollin shqiptar, trajnerit Mema dhe portierit Strakosha, ka reaguar presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Veç të tjerave, numri një i FSHF-së u ndal dhe tek ajo çfarë ndodhi në Fushë-Krujë, në përfundimin e sfidës mes Kastriotit dhe Tiranës. Sipas kreut të FSHF-së, trajneri Mema gaboi që u fut në fushë.
PËR MEMËN
“Kamza dhe ngjarja e djeshme në Fushë-Krujë ishin 2 tablo të ndryshme, me aq sa pashë dhe sa kanë raportuar zyrtarët e ndeshjes.
Në Kamzë thamë pse policia private nuk ndërhyri për të ndaluar zyrtarët apo tifozët që shkuan drejt arbitrit, ndërsa në ndeshjen e djeshme në Fushë-Krujë thamë se pse policia ndaloi trajnerin e Tiranës.
Me gjithë respektin për Memën, që është një personazh shumë i rëndësishëm, gaboi që hyri në fushë.
Unë jam i sigurt që nuk do shkonte të godiste arbitrin. Por gjithsesi, rregullorja të ndalon, kur je me karton të kuq. Këtë bënë forcat e rendit. Ne njëherë i themi pse hyni, njëherë pse nuk hyni.
Ai stadium nuk i ofron të gjitha kushtet. Forcat e rendit penguan trajnerin e Tiranës dhe i thanë futbollistëve të futeshin në dhomat e zhveshjes për të parandaluar ndonjë skenë të përafërt me Kamzën.
Nuk kishte dhunë në fushë. Thjesht ndërhyrje për ta eliminuar ata që quhet dhunë. Kam pasur një takim me drejtorin e policisë. Është e rëndësishme që gjërat të ndahen mirë.
Klubet janë përgjegjës për organizimin e ndeshjes, policia për rendin dhe sigurinë në ndeshje. Kemi rënë dakord që duhet të bashkërendojmë. Kemi propozuar akt marrëveshje. Jemi në proces, për të pasur sa më pak keqkuptime”, – u shpreh Duka.
PËR STRAKOSHËN
“Më vjen keq për Strakoshën, sepse është një nga lojtarët më të rëndësishëm. Ai është i rëndësishëm, por disiplina është akoma më e rëndësishme për skuadrën dhe kjo është fitore e disiplinës.
Nga kontakti që kam pasur me trajnerin, portieri nuk ka pasur arsye objektive për të munguar. Nëse gjithë shokët vijnë në kohë, duhet të respektosh orarin. Le të shërbejë si një mësim për lojtarin, që Kombëtarja është mbi gjithçka“.