Me siguri me epitetin “Zonjë e hekurt” jemi mësuar të identifikojmë Margaret Thatcher. Por edhe lituanezët e kanë një të tillë.
Ajo është Dalia Grybauskaite, presidentja lituaneze, gruaja e parë në këtë post dhe epitetin “Iron Lady” e mori për shkak të rritjes së ekonomisë së Lituanisë dhe për shkak të qëndrimit të saj kundër Rusisë, dhe si referencë ndaj ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher, për të cilin Grybauskaite e ka shprehur publikisht admirimin.
Grybauskaite ka lindur më 1 mars, 1956 në Lituani. Studioi në Leningrad ku mbaroi edhe doktoraturën në ekonomi nga Akademia e Shkencave Publike të Moskës. Nga viti 1983 deri në vitin 1990 ishte pedagoge në kolegjin e trajnimit të Partisë Komuniste në Vilnius dhe pasi Lituania fitoi pavarësinë e plotë në vitin 1991, ajo mbajti postet në Ministrinë e Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të vendit. Pasi shërbeu si ministre në ambasadën lituaneze në Shtetet e Bashkuara, ajo u kthye në Vilnius për të marrë detyrën e zëvendësministres së financave dhe u bë kryenegociatore e Lituanisë me FMN dhe Bankën Botërore.
Në vitin 2000 Grybauskaite u emërua zëvendësministre e punëve të jashtme dhe mori rolin udhëheqëses brenda delegacionit përgjegjës për negociimin e anëtarësimit të Lituanisë në Bashkimin Evropian (BE). Nga viti 2001 deri në vitin 2004 ajo shërbeu si ministre e financave, dhe në këtë post ajo mbështeti fuqimisht përpjekjet e privatizimit dhe liberalizimit.
Në 2004 Grybauskaite shërbeu në Bruksel si komisionere evropiane përgjegjëse për programimin financiar dhe buxhetin; ajo u zgjodh më vonë Komisionerie e BE. Megjithatë, pas thellimit të krizës ekonomike globale që ndihmoi në nxitjen e protestave të dhunshme në Vilnius në janar të vitit 2009, Grybauskaite la postin e saj të BE për të kandiduar si candidate e pavarur në zgjedhjet presidenciale të Lituanisë. Ajo fitoi me më shumë se 69 për qind të votave.
Pas marrjes së detyrës në korrik 2009, Grybauskaite u përqëndrua tek ekonomia vendit. Për këtë qëllim, ajo kërkoi të stimulojë eksportet, të ulë shpenzimet publike, të punojë për të zbatuar në mënyrë efikase ndihmën e BE-së dhe të ofrojë lehtësime tatimore për pronarët e bizneseve të vogla. Deri në vitin 2011 ekonomia po tregonte disa shenja të rimëkëmbjes, megjithëse vazhdoi të luftonte.
Sundimtare e rreptë dhe femër e vendosur
Supet drejt. Vështrimi përpara. E përqendruar. E fokusuar. Ky është imazhi i saj përhershëm: Dalia Grybauskaitė, sundimtarja e rreptë e politikës lituaneze.
“Karakteri im në thelb është formuar në luftën për mbijetesë”, tregonte presidentja dikur në njj intervistë me Deutche Welle. “Unë nuk vij nga një familje e pasur, nuk kam pasur asnjëherë dikë që të më mbështeste. Ndoshta kjo është arsyeja pse dukem kaq e rreptë.”
Patriote e pashembullt
“Në të vërtetë nuk kam dashur asnjëherë të bëhem presidente. E bëra vetëm sepse po shihja se Lituania po rrëshqiste në krizë dhe doja të ndihmoja qeverinë në përballimin e këtyre problemeve”, e argumenton ajo kandidaturën për presidente. Së bashku me qeverinë e ish kryeministrit Andrius Kubilius ajo kontribuoi në stabilizimin e vendit. Ndryshe nga vendet në krizë në jug të Evropës, ajo nuk iu drejtua ndihmave financiare nga FMN. “Kur ekziston vullneti politik dhe përgjegjësia politike, nuk nevojitet ndihmë”, thoshte Grybauskaitė në bisedën me DW.
Grybauskaitė, presidentja e ardhshme e BE-së?
Presidenca e Këshillit të BE-së është për Grybauskaitė roli i ëndërruar. Ndoshta në të ardhmen Grybauskaitė dëshëron të ndikojë më shumë në Evropë, spekulojnë tashmë mediet lituaneze. Por mbetet për tu pare sesa larg do të shkojë “zonja e hekurt lituaneze”.