MENU
klinika

Mosgrumbullimi

Grekët: FSHF nuk na jep letrat e Durmishajt

14.03.2019 - 19:18

Çështja e Fiorin Durmishajt ka marrë një tjetër rrjedhë. Sulmuesi shqiptar zgjodhi të përfaqësojë Greqinë në arenën ndërkombëtare, edhe pse më parë ka luajtur me ekipin Shpresa të Shqipërisë.

Por sot talenti shqiptar nuk është grumbulluar nga trajneri grek Angelos Anastasiadis, për ndeshjet që helenët do të luajnë kundër Lihteshtejnit dhe Bosnjës. Dhe kjo për arsye dokumentacioni dhe jo zgjedhje të trajnerit.

Durmishaj është në formë dhe këtë sezon ka shënuar 11 gola në kampionatin grek me Panionis. Siç raporton “nova-sport.fm”, shkaku për mosgrumbullimin e tij është Federata Shqiptare e Futbollit.

“Vlen të theksohet se për Durmishajn nuk është dorëzuar ende një dokument i domosdoshëm nga Federata Shqiptare e Futbollit, në mënyrë që të fitohet e drejta e grumbullimit me kombëtaren greke. Ai do të thirret për bardhekaltrit në ndeshjet e së ardhmes” – shkruan media greke.

Mbetet për t’u parë nëse Durmishaj do të grumbullohet për ndeshjet e qershorit, ku në fakt, është folur se ai mund të debutojë kundër Italisë. FSHF ka në dorë fatet e Durmishajt, por presioni që mund të bëjnë grekët në UEFA e FIFA mund të ndikojë shumë.