Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërruar sponsorin general dhe ka lidhur një marrëveshje të re. Vodafone Albania do të jetë për 6 vjet sponsor zyrtar i Kombëtares Shqiptare të Futbollit.
Kontrata e sponsorizimit për tre sezone radhazi u nënshkrua në konferencën për shtyp, organizuar sot në praninë e përfaqësuesve të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Vodafone Albania.
“Ne jemi Një” – do të jetë slogani shoqërues i mbështetjes që Vodafone Albania rikthen edhe një herë, pas shumë vitesh për Kombëtaren Shqiptare, duke theksuar angazhimin e saj për të qenë, në të mirë e në të keq, pranë skuadrës së zemrës së klientëve të saj.
Duke pasur si synim kryesor ndarjen e krenarisë dhe emocioneve të fitores me të gjithë popullin shqiptar, falë këtij bashkëpunimi me FSHF-në dhe mundësive që të krijon rrjeti i shpejtë Gigabit, Vodafone do të sjellë një sërë përfitimesh për klientët Vodafone, duke prezantuar për ta mundësi nga më të ndryshmet, për të mos humbur asnjë ndeshje të skuadrës së zemrës.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Z. Armand Duka falenderoi Vodafone Albania për mbështetjen që po i jep ekipit Kombëtar:
“FSHF dhe Vodafone Albania kanë një histori të gjatë bashkëpunimi. Ndoshta jo rastësisht kemi të përbashkët ngjyrën e kuqe por dhe vendosmërinë për të arritur rezultate sa më të larta.
Prej Vodafone Albania, që është sot lider në tregun shqiptar, FSHF nuk do të përfitojë vetëm mbështetjen financiare por edhe mentalitetin e liderit, e fituesit. Jemi në prag të një edicioni shumë të rëndësishëm, të eliminatoreve EURO 2020.
Uroj që të kemi fillimin e mbarë me ndeshjen ndaj Turqisë e që kjo marrëveshje të na sjellë fat”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Z. Achilleas Kanaris, tha:
“Jemi shumë krenarë që nisim këtë partneritet me ekipin Kombëtar shqiptar. Në çdo vend ku ne operojmë, nuk duam të konsiderohemi vetëm si një kompani e madhe, por edhe si investitorë të vazhdueshëm në gjithçka që ka rëndësi për komunitetin.
Për ne ishte shumë e thjeshtë t’i thonim po këtij sponsorizimi, duke parë se skuadra Kombëtare e Futbollit është pikërisht ajo që i bën shqiptarët krenarë, të bëhen bashkë, të qajnë, të lumturohen, të brohorasin.
Pjesë e bukur e këtij bashkëpunimi është padiskutim përdorimi i teknologjisë, që u mundëson fansave të jenë gjithnjë të lidhur me skuadrën e tyre të zemrës, kur janë në fushë por edhe jashtë saj. Ju uroj suksese në ndeshjen me Turqinë dhe në vijim, drejt kualifikimit”.
Në një kohë kur teknologjitë e reja janë të dizajnuara për t’u ofruar klientëve përvoja më të bukura, Vodafone ofron rrjetin më të mirë për të mbështetur këto përvoja.
Partneriteti me skuadrën kombëtare të futbollit është një tjetër shembull i përgjegjshmërisë së biznesit dhe angazhimit të saj për t’u gjendur pranë nevojave të klientëve, edhe përtej komunikimit.