Josep Guardiola Sala sot e njohim si një nga trajnerët më të suksesshëm në botë. Si ish-futbollist ai ka luajtur me Barcelonën. Ndonëse nuk ishte në nivelet e një ylli, ai la gjurmë, një emblemë blaugrana.
Por si shumë futbollistë të tjerë, fillimi me ekipin e parë të Barcelonës ishte plot emocione, për më tepër kur ky ekip drejtohej nga i madhi Johan Cruijff.
Po tregojmë historinë e Guardola-s, rrëfyer nga vetë ai. Ishte viti 1989, koha e miqësoreve për shumë ekipe. I riu Pep Guardiola ndodhet në diskotekë dhe mendimi i parë dhe i vetëm në kokën e tij është ai i një vajze të bukur brune.
Ai planifikon ta ftojë shpejt për të kërcyer. Janë fjalët e vetë katalanasit, të serializuara nga “The Sun”, e cila ka arritur që të zbulojë detajet e një autobiografie të rrallë të trajnerit të City-t, me titull “Njerëzit e mi, futbolli im”.
“Nuk kishte shkuar as ora 7 e mbrëmjes dhe isha duke u qetësuar në një lokal. Isha më shumë i shqetësuar për një brune sesa për çdo gjë tjetër”, – shkruan Pep.
“Dhe kisha vendosur që do ta ftoja për të kërcyer sapo të nisnin këngët më të qeta. Por më pas pashë të vinte një shoku im i skuadrës, i cili më tha se një grup lojtarësh të akademisë, duhet të shkonin në Banjoles me ekipin e parë për një miqësore dhe, mes emrave, ishte edhe i imi” – kujton tekniku spanjoll.
Rezultati? Në lokal Pep nuk arriti të kërcente kurrë me brunen. “Ishte me të vërtetë një vajzë e bukur, por mendja ime u përqendrua te gjëra të tjera” – shton Guardiola.
NDIKIMI I CRUIJFF – Duke e njohur, tani është e lehtë të kuptosh se qendra e universit të tij u bë shpejt futbolli dhe akoma më shumë nën ndikimin e një personazhi si Johan Cruijff.
“Ishte trajneri që më mësoi më shumë gjëra. Është pa dyshim edhe trajneri që më ka bërë të vuaj më shumë. Me një shikim të thjeshtë ishte në gjendje që të të shkaktonte mornica dhe të të ngrinte gjakun.
Por kur e shikoje, kishe ndjesinë se ishte gjithnjë një hap përpara të gjithëve. Reagimi i tij për ndeshjen time të parë?
Më tha: ‘Luajte më ngadalë se gjyshja ime! Nuk ka nevojë të shtoj tjetër!’. Por pak njerëz të tjerë e kanë dominuar çdo aspekt të futbollit siç bëri Cruijff. Thjesht një gjeni” – kujton Guardiola legjendën e futbollit botëror.