MENU
klinika

"Djaloshi i artë"

Maradona, legjenda që shkruajti historinë ‘me dorën e Zotit’

29.03.2019 - 20:50

U rrit mes varfërisë megjithatë, kjo nuk i rrëmbeu ëndrrat e një djali të ri të destinuar për të përjetuar lavdinë dhe madhështinë e futbollit.

Diego Armando Maradona lindi në Villa Fioriotio, Argjentinë më 30 tetor 1961. Në ëndrrat e tij të fëmijërisë, Maradona e pa veten si një lojtar i madh futbollistik, edhe pse u përball me realitetet e ashpra të jetesës në lagjet e varfra jashtë Buenos Aires. Familja e tij për fat të keq ishte e varfër. Babai i tij, një murator dhe punëtor në fabrikë, luftonte për të siguruar jetesën për tre djemtë, pesë vajzat dhe gruan e tij.

Maradona i pati kontaktet e para me futbollin, nga kushëriri i tij, Beto Zarate. Ai praktikoi driblime dhe aftësi të tjera me topin derisa nuk i mbanin më këmbët. Mes tij dhe futbollit kishte kimi që në kontaktet e para dhe i riu Diego fjeti me topin gjatë natës. Deri në moshën nëntë vjeç, ai kishte mësuar të luante futboll, dhe tërhoqi vëmendjen e trajnierit të Los Cebollitas, një ekip i moshave të reja.

Në vitin 1972, ai udhëhoqi ekipin në një kampionat të vogël, ku mori edhe fanellën me numrin 10, e veshur më parë edhe nga ylli legjendar i futbollit, Pele. Nga 1976 deri 1980, adoleshenti Maradona luajti për Argentinos Juniors. Para përfundimit të sezonit të parë, ai filloi të shndërrohej në idhull për tifozerinë dhe stadiumet ishin gjithmonë të mbushura me njerëz që brohorisnin spektaklin e dhënë në fushë nga talenti argjentinas.


Në vitin 1982, ‘djaloshi i artë’ mori shansin për të luajtur në Kupën e Botës. Diego u hodh në fushë në klasiken kundër Brazilit, por gjërat nuk shkuan mirë, pasi përveç humbjes, ai u ndëshkua me karton të kuq 5 minuta para përfundimit të ndeshjes.

Megjithatë, Maradona u bë një yll i sporteve kombëtare në kohën që luante për Boca Juniors të Argjentinës. Emri i tij bëri jehonë në mediat ndërkombëtare dhe në moshën 21 vjeçare u bë pjesë e Barcelonës në Spanjë.
Aventura e tij në Barcelonë nuk nisi siç duhej sepse përveç dëmtimeve, pozicionit të papërshtatshëm në fushë, Maradona disa herë u akuzua dhe për përdorim të drogës.

Pavarësisht vështirësive, ‘El pipe de oro’ rifitoi zemrat e tifozëve në fushë. Ai nuk e zhgënjeu ekipin, madje u bë lojtari i pare që duartrokitej nga tifozët rivalë të Real Madrid. Gjatë dy sezoneve në Barcelonë, shënoi 38 gola në 58 ndeshje.Në vitin 1984, ai u shit në Napoli, në Ligën Italiane, për një rekord prej 12 milionë dollarësh. Tifozët në Napoli e quanin atë “San Diego”. Ndërkohë që emri i tij u bë i njohur pas fitores së Kupës së Botës me Argjentinën në vitin 1986.

Në moshën 25-vjeçare, Diego Maradona ishte figura qendrore e sfidës së Kupës së Botës 1986.
Në ndeshjen ndaj Anglisë ai shënoi dy gola duke i dhënë një fitore historike Argjentinës. Goli i parë do të mbahet mend gjatë në historinë e futbollit, pasi ai e kishte goditur topin me dorë. Diego u shpreh pas ndeshjes se ai gol erdhi “nga dora e Perëndisë në kokën e Maradonës”.

Kampionati Botëror ishte një triumf për Argjentinën dhe e bëri Maradonën futbollistin më të famshëm të botës.
Më tej ai i tregoi vlerat e tij edhe tek Napoli ku ndihmoi ekipin të fitonte kampionatin Italian si dhe u shpall golashënuesi kryesor për Italianët me 115 gola.

Në vitin 1989, Maradona u martua me Claudia Villafane, dashurinë e tij të fëmijërisë. Në dasmën e tij i surprizoi të gjithë duke fshehur 99 unaza ari poshtë tortës. Më 29 tetor 1997, Maradona njoftoi tërheqjen e tij nga ballkoni i shtëpisë në Buenos Aires. Emri i tij pushtoi mediat në vitin 2000, kur varësia ndaj kokainës i kishte shkaktuar probleme në zemër.

Në vitin 2000, ai fitoi çmimin ‘’FIFA Player of the Century’’, i cili u vendos me vota në faqen zyrtare të internetit. Maradona gjithashtu fitoi sondazhin në internet për futbollistin më të mirë, duke mbledhur 53.6% të votave kundrejt 18.53% për Pele. Më 22 mars 2010, Maradona u zgjodh numri 1 i lojtarëve më të mëdhenj të Kupës Botërore të të gjitha kohërave nga gazeta ‘’The Times” në Londër.

Maradona shkruajti një pjesë të rëndësishme të historisë së futbollit dhe për shumicën e adhuruesve të këtij sporti, ai është konsideruar si më i miri i të gjitha kohërave.