Një histori e vërtetë që mund të kishte ndryshuar shumë gjëra asokohe dhe më pas. Është mëngjesi i datës 3 nëntor 1945, qytetin bavarez të Nördlingen me një banor më shumë…
Fëmija që sapo ka ardhur në jetë quhet Gerhard, por që të gjithë thërrasin Gerd. Menjëherë me topin nis të bjerë në sy, ashtu si zakonisht ndodh me çdo fëmi, duke përjashtuar këta të epokës së teknologjisë.
Nuk ka një karakter të thjeshtë, ka tendencën që të ndërlikojë gjërat e lehta dhe ndonjëherë raportet me të tjerët. Por, kur luan futboll, gjithçka bëhet lineare.
Kontorno është neto, çdo gjë është horizontale apo vertikale dhe ai ka vetëm një fiksim: ta shtyjë atë top përtej asaj vije që shtrihet mes dy shtyllave pingule.
Te të rinjtë e Bayern Munich ka nga ata që betohen dhe vënë dorën në zjarrë se ky djalosh do të bëhet një legjendë apo kampion. Sigurisht, nuk di t’i “pëshpërisë” topit si brazilianët apo holandezët, nuk ka teknikë të jashtëzakonshme, por ne tabelat e ndeshjeve nuk mungon emri tij.
Në një mënyrë apo tjetër, ai shënon. Dhe, duke qenë se futbolli nuk është shkencë ekzakte, atëherë fitohet me gola jo me lojë.
Ky është fenomen? – Kur, më në fund, e sheh përpara tij, Zlatko Cajkovski, trajneri jugosllav i Bayern, mbetet i shtangur dhe shton një batutë:
“Ky është ai fenomeni për të cilin më flisnit?! Shumë i shëndoshë për të gjetur hapësirë brenda zonës së rreptësisë”
I vjetri Tschik, siç e quajnë gjermanët, është një kroat, ish-futbollist i Koln, që jeton dhe punon prej vitesh në Gjermani. Nuk i shpëton asgjë, por këtë herë gabon dhe nuk e vlerëson siç duhet sulmuesin nga Nordlingen.
Praktikisht, djaloshi ka atë instikt që nuk blihet në treg, por lind brenda teje. Në javën e 13-të, Cajkovski gjendet pa sulmues, shkak dëmtime e skualifikime.
Në nevojë e sipër, detyrohet të hedhë në fushë “të shëndoshin”, siç e quante. Debutim në Freiburg dhe dy gola. Trajneri kërkon ndjesë për çfarë kishte thënë. Në fushë, ai është një “hienë”, një gjahtar goli.
Golat e vegjël – Nga ai moment, bëhet e pamundur që Muller të lihet jashtë. Numri “9” shkëlqen dhe me 35 golat e tij ngjit Bayern Munich në elitë, pas aventurës në kategorinë e parë. Eshtë vetëm 20 vjeç dhe të gjithë nisin të flasin për të.
Nisin nofkat për të, një shenjë që Muller është bërë personazh publik: “Der Mann der Kleine Tor”, njeriu i golave të vegjël. Janë të vegjël, por i shënon gjithmonë ai, kushedi pse?!
Në sezonin 1966-67 shënon 47 gola mes kampionatit, kupave kombëtare dhe Bayern fiton Kupën e Kupave. “Kicker” e zgjedh “Futbollistin e Vitit”.
Një vit më pas, 31 gola në 30 ndeshje. Duket kaq e thjeshtë të shënosh gola të vegjël saqë provojnë të gjithë, por asnjë nuk afrohet minimalisht.
Kombëtarja gjermane ka probleme dhe Helmut Schon zgjedh njeriun e golave të vegjël, që debuton më 12 tetor 1966 në Ankara. Gjermania fiton 2-0, por Muller nuk shënon.
Pak durim, jo edhe shumë, sepse ngushëllohet më pas, duke i shënuar – gjejeni pak – Shqipërisë! Katër gola, për të cilat ish-portieri i Shqipërisë, i ndjeri Mikel Janku, do të pranonte: “E kam nder që m’i ka shënuar Gerd Muller dhe jo një tjetër”.
Bayern dhe Gjermania Perëndimore kanë zbuluar një shënues të jashtëzakonshëm që nuk di të heqë dorë edhe kur është në ëndërr. Kështu, janë gati që të pushtojnë Europën dhe botën.
Në vitin 1970, Gerd Muller është golashënuesi i Botërorit me 10 rrjeta dhe skuadra del në vend të tretë. Topin e Artë nuk ia heq askush.
Kalojnë dy vite dhe më 18 qershor 1972 Gjermania shpallet kampione Europe. Në Bruksel përballen Gjermania Perëndimore dhe Bashkimi Sovjetik.
Përfundon 3-0 dhe bomberi, që askush nuk ka guxim të thërrasë me “dicker”, ose “i shëndoshi”, shton dy perla të tjera në koleksionin e tij. Nga aty, nofka tjetër, e re: “Bomber der Nation”. Nuk shërbejnë përkthime…
Refuzimi i madh – Dueli me futbollin total holandez kundërve modulin revolucionar të Cruijff me shokë, ku të gjithë duhet të dinë të bëjnë gjithçka, me lojën tradicionale dhe pragmatike gjermane. Kështu, nis të marrë jetë ëndrra e madhe për të luajtur te Barcelona bashkë…
Imagjinoni pak, Cruijff dhe Muller. Fantastike! Holandezi pranon, Gerd Muller gjithashtu, por federata gjermane futet në mes: në vitin që paraprin Botërorin në Gjermani, asnjë nuk lëviz nga Bundesliga.
Një martesë që nuk bëhet, një tren që kalon njëherë në jetë dhe një mal me para. Bomberi premton hakmarrje ndaj “llojit të tij”:
“Do t’iu jap Botërorin dhe nuk do të shkel më kurrë në kombëtare”
Do të mbajë fjalën, dy herë! Pasditen e 7 korrikut 1974, në “Olympiastadion” të Mynihut, Gjermania Perëndimore shpallet kampione, duke mundur Holandën, me një gol të tij.
Duhet ende të mbushë 29 vjeç, por në kokën e tij e ka vendosur: nuk ka kthim mbrapa. E mbyll me 62 ndeshje dhe 68 gola me Gjermanië Perëndimore.
Te Bayern qëndron pesë sezone dhe fiton gjithçka. Më pas, valixhen dhe biletën, duke ndjekur trajektoren e Franz Beckenbauer, në kontinentin tjetër, përtej Oqeanit, ku do të luajë deri 37 vjeç.
Ndërkohë, Bayern ka zbuluar një talent tjetër: Karl-Heinz Rummenigge. Në Florida, ku është vendosur, hap një birrari dhe restorant, prish martesën e tij dhe depresioni nis ta fusë nën kthetra.
Kthehet në Gjermani në fillim të viteve ’90. Thashetheme flasin për një tentativë vetëvrasje. Ka humbur ekuilibrin, por Bayern e ndihmon. I jep dorën dhe e bën pjesë të sektorit të të rinje. Gjatë viteve kërgon talente si Lahm, Schëeinsteiger dhe Thomas Muller.
Larg realitetit…Në vitin 2015 ndodh edhe ajo që asnjë nuk do të donte… Skuadra e të rinjve të Bayern ndodhet në rajonin e lulëzuar të Toskanës, në Itali, për fazën përgatitore.
Me ta, edhe Gerd Muller, që largohet për të bërë një xhiro në park. Nuk do të kthehet më. E gjejnë në një stol të ulur, teksa vështrimi i tij është diku larg, aty ku mendja e pjesës më të madhe të njerëzve nuk mund të arrijë.
Nuk mban mend asgjë, nuk e di që ka qenë një bomber që rrallë herë vijnë në histori. Nuk e di që i ka dhënë Gjermanisë Botërorin apo Bayern shumë trofe. Nuk e di që ka fëmijë e kështu me radhë…
Ka vetëm atë vështrim drejt horizontit. i humbur në një realitet tjetër nga ky ku jetojmë. Sëmundja famëkeqe Alzheimer e ka pushtuar dhe jeton në një klinikë private. Bayern paguan çdo kurë të mundshme.
“Gerd Muller është një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë së futbollit. Pa golat e tij, as Bayern dhe as kombëtarja gjermane nuk do të ishin ato që janë sot”. Firma: Karl-Heinz Rummennigge.
Më i madhi – Nëse flasim për Gerd Muller flasim për një ndër futbollistët më të mëdhenj në Gjermani. Të paktën, sipas asaj që flasin bashkëkombësit e tij.
Numrat e ofendojnë, e kotë t’i përmendësh, edhe pse në “lëndën” e statistikave vështirë të bësh pa to: 611 ndeshje me Bayern Munich dhe 569 gola të realizuar, 4 tituj gjermanie, 4 Kupa Gjermanie, 1 Kupë Kupash, 3 Kupa Kampionësh dhe 1 Interkontinentale.
Në nivel personal, Muller ka fituar edhe dy herë “Këpucën e Artë” dhe një herë “Topi i Artë”, ndërsa me fannellën e kombëtares, me të cilën ka zbritur në fushë 62 herë duke shënuar 68 gola, ka fituar një Europian dhe një Botëror.
Numra dhe tituj që do të shtangnin këdo, pa harruar që gjermani ka qenë titullar i shumë rekordeve në paraqitje dhe gola, që janë thyer së fundmi nga dy fenomenë si Messi dhe Ronaldo.
Në Botërorin 2014, Miroslav Klose i hoqi kurorën si goleadori më i mirë në historinë e përfaqësueses gjermane, por ai do të mbetet një prej bomberave më vendimtarë në Gjermani. (Telesport)