Menjëherë pas shkarkimit të Panuccit kanë nisur të lakohen emrat e parë për të drejtuar Kombëtaren shqiptare, ndër ta, edhe rikthimi i De Biasit apo Besnik Hasi.
Ndonëse pista italiane mbetet një nga të preferuarat e Armand Dukës, këtë herë po shihet edhe tregu ballkanas, që në fakt, e kanë drejtuar dy herë ekipin tonë kombëtar, Baric dhe Kuzhe.
Me ndërhyrjen e drejtorit teknik të kuqezinjve, Xhemal Mustedanagiç, po mendohet afrimi i një trajneri që ka shkruar historinë me Bosnjë Hercegovinën, Safet Sushiç.
Boshnjaku ka qenë një nga emrat më të njohur të futbollit në Ish-Jugosllavi në vitet ’70-’80 kur erdhe arrit të vishte fanellën e PSG-së.
Më pas, ai nisi një karrierë të gjatë si trajner, duke arritur që në vitin 2009 të emërohej në pankinën e Bosnjë Hercegovinës.
Brenda pak kohësh, ai e ktheu këtë përfaqësuese në një nga më argëtueset e kontinentit dhe arriti kulmin në vitin 2014, kur e kualifikoi atë në Botërorin Brazil 2014, ndërsa e ngjiti deri në vendin e 13-të në renditjen e FIFA-s.
Po atë vit ai u largua nga drejtimi i kësaj përfaqësueseje edhe ka drejtuar në Francë e pastaj në Turqi, duke qenë pa një skuadër që nga shtatori i vitit 2018.
Duka edhe më parë kishte hedhur sytë nga Sushiç, por në periudhën kur De Biasi u largua nga drejtimi i përfaqësueses, boshnjaku ishte nën kontratë me Alaniaspor.
Tashmë, duket se bisedimet kanë rifilluar përsëri, edhe pse për momentin janë në fazën e interesimit. “Nuk ka asgjë konkrete për momentin”, – ishte përgjigja e vetme që 63-vjeçari Sushiç u dha mediave në vendlindje.