MENU
klinika

“Euro 2020”

“Poker” i Holandës, përmbys Kroacia

21.03.2019 - 22:47

Kokat e grupeve në eliminatoret e “Euro 2020” e kanë nisur mirë. Kështu, Holanda, Belgjika dhe Kroacia, fituan ndeshjet e para, me nënkampionët e botës që vuajtën jo pak.

Holanda fitoi në shtëpi 4-0 ndaj Bjellorusisë, duke i treguar Gjermanisë, të cilën e ka në grup, se nuk do ta ketë sërish të lehtë, ashtu si në Ligën e Kombeve.

Ndërsa Belgjika ka fituar 3-1 ndaj Rusisë, duke dominuar. Ka vuajtur shumë Kroacia, e cila ka përmbysur Azerbajxhanin në shifrat 2-1.

GRUPI C

Ishte Memphis Depay që në minutën e parë të ndeshjes që kaloi Holandën në avantazh. Ai u bë lojtari më i ri (25 vjeç e 36 ditë) që arrin 14 gola me kombëtaren holandeze që prej Patrick Kluivert në vitin 1999 (22 vjeç e 339 ditë).

Wijnaldum ka dyfishuar rezultatin, përpara se Depay të shënonte të tretin nga pika e bardhë e penalltisë. Ai është kthyer në një lojtar kyç te Holanda që është ringjallur pas mospjesëmarrjes në Kupën e Botës.

Në fund, ishte Van Dijk ai që shënoi golin e katërt. Tulipanët ndeshjen e radhës e kanë me Gjermaninë tre ditë më pas. Në ndeshjen tjetër të grupit, Irlanda e Veriut ka mposhtur 2-0 Estoninë.

GRUPI I

Një grup i përbërë nga gjashtë ekipe, Belgjika ka fituar ndeshjen e dy favoritëve. Ishin Tielmans dhe Hazard (2) që shënuan për vendasit, ndërsa Cheryshev golin e vetëm të rusëve.

Në dy ndeshjet e tjera, Qipro ka fituar 5-0 ndaj San Marionos, ndërsa Skocia është mposhtur brenda 3-0 ndaj Kazakistanit.

GRUPI G

Maqedonia e Veriut ka fituar 3-1 ndaj Letonisë duke marrë kryesimin e grupit. Polonia ka fituar 1-0 ndaj Austrisë jashtë fushe, falë golit të Piatek në pjesën e dytë, ndërsa Izraeli ka barazuar 1-1 ndaj Sllovenisë.

GRUPI E

Sllovakia ka fituar 2-0 ndaj Hungarisë. Kroacia ka mposhtur Azerbajxhanin me rezultatin e ngushtë 2-1 me golat e Barisic dhe Kramaric.