Gjatë zhvillimit të tryezës së përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Qeverisë, për diskutimin e problemeve në sport, e konkretisht sigurinë në stadiume, ka folur dhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Gjatë fjalës së tij, Lleshaj tha se Policia e Shtetit nuk i ka kompetencat aktualisht për të ndërhyrë në stadiume, por njëkohësisht, policia nuk ka as kapacitetet. Të dyja këto problematika, sipas Sandër Lleshajt, kërkojnë ndërhyrje ligjore.
“Këtu jemi në shtëpinë e ‘topit’, por këta të FSHF-së e luajnë topin më mirë se Policia. Kjo e fundit është e detyruar me ligj që të garantojnë siguri për qytetarët.
Por këtu vlen të theksojmë se policia është një strukturë e dhënë. Kapacitetet dhe kompetencat, kur flasim për futbollin këto janë faktorë.
E para, na mungojnë kompetencat, kjo është çështje e madhe që duhet zgjidhur me ndërhyrje ligjore. Policia ka kapacitete të caktuara, për të ofruar siguri publike, por jo për të shkuar pas çdo rasti individual” – u shpreh Sandër Lleshaj.
Më tej ai shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët e tjerë, me qëllim që të rriten kapacitetet, por ai theksoi se e gjitha kjo ka një faturë financiare, që duhet zgjidhur.
“Do e fillojmë këtë proces, por do na duhet të mendojmë se kjo do ketë dhe një faturë që duhet paguar, me qëllim që të rrisim kapacitetet.
Edhe nëse do i kemi mundësitë, ne do kemi shumë vështirësi të përballojmë të gjithë aktivitetet sportive. Unë besoj se, veç kësaj, do ketë një hapësirë ku do ndërhyjmë” – tha Lleshaj.
Ai shtoi me tej se duhet që dhe klubet të ndërhyjnë në infrastrukturë, për të lehtësuar parandalimin e akteve të dhunës.