Kampioni në fuqi i Formula 1, Lewis Hamilton, duket se nuk ka frikë vetëm nga rivalët, por edhe nga shoku i skuadrës te Mercedes, Valteri Bottas.
Në Australi, Hamilton e nisi garën me idenë për t’u mbrojtur nga Sebastian Vettel, por harroi se edhe një pilot tjetër piloton të njëjtën makinë Mercedes si ai.
Dhe finlandezi i bëri një rreng të bukur, duke e parakaluar që në start dhe më pas fitoi garën, duke e lënë pas me 20 sekonda kampionin e botës.
“Për ekipin kjo ishte një garë e bukur, pasi zumë të dy pilotët e Mercedes dy vendet e para. Bottas ishte i jashtëzakonshëm dhe e meritoi fitoren.
Unë duhet të punoj më shumë, pasi në start nuk arrita të ruaj pozicionin. Çfarë më mungoi? Kam disa ide, por do të flas me skuadrën”, u shpreh Lewis Hamilton, që u rendit i dyti në Australi.
Duket se te Mercedes do të nisë një duel brenda familjes, me Bottas që hedh kandidaturën për titull, ashtu si 3 vite më parë, kur duelonin për titull Hamilton dhe Rosberg.
“Jemi të befasuar nga paraqitja e Bottas. Krahasimi me Rosberg? Është ende herët për këtë gjë, por ky rivalitet është gjë e mirë për Mercedes. Mes Nico dhe Leëis kishte edhe rivalitet në aspektin personal, jo vetëm në pistë”, – tha Toto Wolff, shefi i Mercedes.