MENU
klinika

Ligue 1, Java 27

PSG i falet Mbappe, 1 gol larg Messit

02.03.2019 - 19:33

Paris Saint-Germain nuk ka patur në dispozicion Neymar e Cavani, ndaj ka vuajtur më shumë nga sa pritej për të siguruar tri pikët në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në fushën e Caen, skuadër që mban vendin e tretë nga fundi në renditje.

Kanë qenë vendasit, në fakt, ata që kanë shënuar të parët, me Ninga që ka kapur në befasi mbrojtjen e kampionëve në fuqi të Francës në minutën e 51-të.

Gjithsesi, reagimi i miqve ka qenë pothuajse i menjëhershëm, me Mbappe që ka barazuar ndeshjen nga pika e bardhë në minutën e 59-të para se të realizonte golin e fitores në të 87-ën.

Falë këtyre tri pikëve, PSG kryeson kampionatin me 71 pikë, 20 më shumë se Lille e vendit të dytë kur kanë mbetur edhe 12 javë nga fundi i Ligue 1.

Ndërsa Mbappe shkon në kuotën e 24 golave, një më pak se Messi në luftën për “Këpucën e Artë” në Europë, por argjentinasi ka shansin të shkëputet në mbrëmje në sfidën e “El Clasico”-s.