Cristiano Ronaldo ka munguar përsëri, por Juventus kësaj here ia ka dalë të fitojë, teksa ka mposhtur 1-0 Empolin në Torino, me golin e talentit Kean.
Skuadra e Allegri-t është vërshëllyer nga tifozët në fund të pjesës së pare, teksa po futej në dhomat e zhveshjes, por pas pushimit ka dalë me e motivuar, duke gjetur edhe golin e fitores.
Bardhezinjtë humbën ndeshjen e parë të sezonit përpara ndeshjeve ndërkombëtare dhe pritej reagimi ndaj Empolit.
Mungesa e Cristiano Ronaldo-s dukej, pasi në sulm vendasit kanë vuajtur të gjenin hapësira.
Megjithatë, futja në fushë e Moise Kean ka rezultuar një lëvizje e bukur e Allegri-t sepse tre minuta pasi ishte futur në fushë, italiani i talentuar ka gjetur golin e avantazhit.
Kean është lojtari më i ri (19 vjeç e 31 ditë) që shënon 8 golat e parë në Serie A që prej Mario Balotelli-t (18 vjeç e 242 ditë).