Turqia ka bërë detyrën ndaj Moldavisë në shtëpi, duke fituar bindshëm 4-0 ndeshjen e dytë eliminatore të “Euro 2020”, pikërisht në Grupin H, ku bën pjesën edhe Shqipëria.
Fillimisht ishte mbrojtësi, Hasan Ali Kaldirim, i cili shënoi në minutën e 24-të pas nëj aksioni të gjatë. Një tentativë e Çalhanoglu për të shënuar me roveshatë, u kthye në asist për Kaldirim, i cili nuk fali përpara portës.
Dy minuta më vonë, ishte sulmuesi Çenk Tosun, i cili shfrytëzoi në maksimum një zbritje në kundërsulm të të tijve, duke shënuar edhe golin e dytë.
Pjesa e dytë nisi përsëri e vrullshme për vendasit, të cilët fillimisht fituan të drejtën e një 11-metërshi me anë të Burak Yilmaz. Ishte po ky i fundit që e mori përsipër, por që gaboi, duke u ndalur nga portieri mik.
Gjithsesi, shënjestrën e korrigjoi Çenk Tosun, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të tretin e takimit për kombëtaren e tij në minutën e 53-të.
Në minutën e 70-të pati vend për festë edhe për mbrojtësin Ajhan, i cili kërceu mbi të gjithë me kokë dhe shënoi golin e katërt.