MENU
klinika

"Prifti i kuq i katër stinëve"

Vivaldi virtuoz

15.03.2019 - 12:19

Kompozitori dhe violinisti virtuoz italian (Venecia 1678-Vjenë 1741) me famë botërore Antonio Vivaldi njihet ndryshe edhe si babai i muzikës klasike baroke, ka ndikuar ndjeshëm në muzikën instrumentale, veçanërisht në koncertet e shekullit të 18-të. 

I biri i Giovanni Battista Vivaldi, violinist në orkestrën e Bazilikës së Shën Markut në Venecia, Antonio Vivaldi ishte i destinuar për priftëri. I parakohshëm dhe jashtëzakonisht i talentuar në muzikë, mësoi violinën nga i ati. U pranua shumë herët në Kapelë, ku e mahniti jeta muzikore intensive që gjallëronte bazilikën e Shën Markut dhe institucionet e saj. U emërua prift në vitin 1703, por iu desh të dorëhiqej nga shërbimi pas një sëmundjeje. Atëherë u emërua mjeshtër i violinës dhe kompozitor në jetimoren “Conservatorio dell’Ospedale della Pieta”. Shumë shpejt do të kthehej në kompozitorin më në modë, duke e shndërruar Pieta, vepër bamirëse ku ai shërbeu si mësues i muzikës, një nga vendet më të rëndësishme artistike në Venedik. Shumicën e veprave të tij ua dedikonte nxënësve. Ekzekutimi dhe përhapja e krijimtarisë gjatë turneve të shumta nëpër Evropë, i siguruan një popullaritet ndërkombëtar. Vijon të mbetet ende nga kompozitorët barokë më të luajtur dhe më të dashur.

Muzika e tij ritmike, e gjallë dhe e guximshme, është tejet e dashur për veshin. Nuk është për t’u habitur që në epokën e tij kompozitori gëzonte një reputacion të jashtëzakonshëm. Nga Viena në Mynih, nëpërmjet Pragës, Londrës dhe Parisit, Vivaldi udhëtonte kudo për të përmbushur urdhrat e klientëve prestigjozë. Muzika e tij u harrua për shumë kohë, pas vdekjes në 1741, dhe veçse në mesin e shekullit XX, krijimtaria e tij filloi të rilindte. Virtuoziteti i jashtëzakonshëm në violinë, kompozimi i qindra koncerteve, më të famshmet me temën e stinëve, i sigurojnë sot suksesin e padiskutueshëm.Vivaldi iu përkushtua kryesisht koncerteve recitale, duke paraqitur në mënyrë të veçantë teknika të reja, pasuroi orkestrimin dhe përcaktoi formën e concerto grosso.

Jashtëzakonisht pjellor, puna e Vivaldit përfshin më shumë se 470 koncerte dhe simfoni, 45 opera, 2 oratorio, mbi 100 kantata, arie dhe serenata, 75 sonata dhe dyzet pjesë muzikore të shenjta, përfshirë edhe një Gloria në D Maxhor.

Të gjithë e thërrisnin “Prifti i kuq”, për shkak të flokëve farfuritës, edhe pse nuk e celebronte meshën. Tejet i apasionuar pas muzikës, ai thuajse kishte harruar se ishte bërë prift para se t’i përkushtohej totalisht muzikës. Nëse Vivaldi lidhet pazgjidhshmërisht me kryeveprën “Katër stinët”, mbreti i koncertit, por edhe jetëdhënës i muzikës së shenjtë. Vivaldi e lë të lirë gjeninë e tij në trajtimin e koreve. Realizoi muzikë vokale, muzikë dhome, muzikë teatri dhe opera, por nuk besoj se ka ndonjë që nuk e njeh “Katër Stinët” apo Koncertin e Pranverës, një vepër arti që imiton përsosshmërish tingujt e natyrës me anë të instrumentëve. Koncerti është një përshkrim i pranverës: zgjim i natyrës, kënga e zogjve, murmurima e ujit, stuhia dhe zogjtë që nisin të këndojnë pas platitjes së stuhisë… Instrumentë që realizojnë mbi notat e Vivaldit shushurimën e gjetheve të pemëve, të lehurën e një qeni apo dhe ambientin e qetë që rrethon një bari të përgjumur.

Shumë njerëz i kërkonin këshilla Vivaldit, si  Carlo Tessarini, Guiseppe Fedeli, G. B. Somis, Pisendel etj. Bah nuk i kërkoi kurrë këshilla, por studioi veprën e tij dhe përshtati formën e tre kohëve që përdorte Vivaldi. Handel gjithashtu adoptoi disa nga stilet e Vivaldit, si  koncertet me tre kohë. Vivaldi nuk influencoi vetëm bashkëkohësit e tij, pasi një shekull më vonë veprat e tij do të kujtoheshin nga Mendelson.

Muzika klasike, sidomos Vivaldi, është muzika ideale për ta filluar ditën me humor të mirë!