Rastet e dhunës në futbollin shqiptar kohët e fundit janë shtuar. Por kur dhuna vjen nga vetë drejtuesit apo presidentët, atëherë shqetësimi është akoma më i madh.
Duke marrë shkas nga sherri mes futbollistit të Tiranës, Michael Ngoo, dhe presidentit të Laçit, Pashk Laska, Ambasada Britanike në Tiranë ka kërkuar informacion në lidhje me ngjarjen.
Ngoo ka pasaportë angleze. Përfaqësues nga Ambasada kanë takuar drejtues të Tiranës për të marrë më shumë informacion për atë çka ndodhi, ndërkohë që kanë pasur edhe kërkesë.
Ata kanë kërkuar kallëzim penal për incidentin, si në Polici, ashtu edhe në Federatë dhe vetë Ambasada ka shprehur gatishmërinë e saj për të qëndruar pranë futbollistit, ku të njëjtën gjë ka kërkuar edhe për klubin.
Ngoo u fajësua jo pak nga Federata, ku Komisioni i Disiplinës e dënoi me 5 ndeshje pezullim, kur në fakt ai u provokua dhe në fund u sulmua nga djali i presidentit Laska.