MENU
klinika

Deklarata e plotë

Burri i Ermonela Felajt bëhet prokuror, Alibeaj: Antikushtetuese

19.04.2019 - 15:04

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e cilësoi antikushtetues emërimin si prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë në Tiranë të bashkëshortit të ish-ministres socialiste, Ermonela Felaj, aktualisht deputete.

Alibeaj thotë se Bledar Valikaj është emëruar si prokuror ndonëse nuk është magjistrat. Po ashtu sipas tij, Kushtetuta detyron të emërohen prokurorë vetëm ata që e kanë kaluar vettingun, por ky nuk është rasti i burrit të Felajt. “Ai as vettingun nuk e ka kaluar”,– siç sqaron demokrati.

“Nëse vettingu u bë për të emëruar pa vetting dhe në mënyrë jo kushtetuese burrin e Ermonela Felajt atëherë ajo ia ka arritur qëllimit. Që sot Edi Rama ka në drejtësi një ushtar tjetër, burrin e deputetes së tij”,– vijon Alibeaj.

Sipas Alibeajt, kjo është arsyeja që shqiptarët nuk besojnë tek drejtësia e vettingu.

Valiaj u caktua prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë, në mbledhjen e datës 25 mars të KLP-së. Ky është vendimi i Gjykatës Administrative, e cila ka urdhëruar KLP të emërojë prokuror bashkëshortin e ish-ministres Bledar Valikaj.

alibeaj-konica.al
alibeaj-konica.al

Deklaratë e plotë:

Reforma në Drejtësi është një nga rastet, kur dështimi për të ngritur një sistem të pavarur drejtësie, në mënyrë që ligji të veprojë njësoj për të gjithë, vuloset nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Me votën e Gent Ibrahimit, i cili përfaqëson interesat e Edi Ramës në organin më të lartë vendimmarrës për prokurorinë, në sistem është emëruar, në mënyrë antikushtetuese dhe pa veting, bashkëshorti i ish ministres së Edi Ramës, Ermonela Felaj.

Rasti i Bledar Valikajt, merita e vetme e të cilit është lidhja bashkëshortore me deputeten e Edi Ramës, përbën një provë skandaloze sesi organet e reja të drejtësisë shkelin kushtetutën për t’i shërbyer pushtetit të kryeministrit, përmes kapjes politike të çdo hallke të sistemit të drejtësisë.

Enmërimi i burrit të deputetes socialiste është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Reformës në Drejtësi në të paktën 2 pika.

Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk e ka përfunduar këtë shkollë.

Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të vetingut. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk ka kaluar në veting. Përdorimi politik i organeve të reja të drejtësisë dhe i vetingut shpjegon pse 63 përqind e shqiptarëve nuk besojnë më tek vetingu dhe pastrimi i sistemit të drejtësisë.

Shqiptarëve iu premtua se reforma në drejtësi do të zgjidhte problemet e mëdha të vendit: politikanët e korruptuar do të ndëshkoheshin, krimi do të merrte dënimin e merituar nga drejtësia e reformuar. E vetmja gjë që po ndodh është se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar po mbahen në sistem, politikanët e korruptuar dhe krimi i organizuar janë të paprekshëm dhe se sistemi i drejtësisë vazhdon të funksionojë vetëm për familjarët e pushtetarëve.

Nëse reforma në drejtësi u bë për të emëruar pa veting dhe në mënyrë antikushtetuese burrin e Ermonela Felajt, atëherë ajo ia ka arritur qëllimit. Edi Rama ka edhe një ushtar më shumë në drejtësinë e deformuar sipas interesave të tij.