Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e Alkond Bengasit në lidhje me grabitjen e bujshme të Rinasit.
Tashmë ai ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe është etiketuar si njeriu që zbërtheu grupin e grabitjes.
Gjatë dëshmisë së tij ai ka pranuar se ka modifikuar furgonët me të cilët është kryer vjedhja.
Sipas dëshmisë, ai thekson se i ka bërë këto modifikime me kërkesë të kushërinjve të tij Klement dhe Eldi Çala.
Gjithashtu Bengasi ka zbuluar edhe dy persona të tjerë të përfshirë në grabitje. Ai i ka identifikuar si “Daja” nga Kosova dhe një person tjetër “Tani”.
Të dy janë shpallur në kërkim dhe policia ka kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve të Kosovës për kapjen e tyre, pasi dyshohet që të dy janë nga Kosova.
Mësohet se Bengasi ka thënë në dëshmi se është takuar me këto dy persona dhe Admir Muratajn në Kavajë, ku pas një dreke u ka dorëzuar furgonët.
“Kontaktin e parë e kam pasur me kushërinjtë e mi Klement dhe Eldi Çala. Duke qënë se unë punoja në një servis ata më kërkuan t’i shoqëroja në Kavajë ku do të merrnim një furgon.
Fillimisht nuk pranova sepse kam pasur fëmijën sëmurë dhe nuk doja të largohesha nga Elbasani. Por më pas pranova dhe shkuam të 3 tek Shkëmbi i Kavajës. Aty na prisnin 3 persona për drekë.
Një u prezantua si Admir Murataj i cili ishte në shoqërinë e 2 personave nga Kosova. Një prej tyre e therrisnin “daja” ndërsa tjetrin “Tani”.
Pasi hëngrën drekë, morëm furgonat Shevrioletë, të cilët unë më pas i modifikova. Më vonë mësova se mjetet do të përdoreshin për grabitje”, mësohet të ketë thënë në dëshmi.