MENU
klinika

Letra!

DAR Shkodër transferohet në Lezhë/ Ademi “ashpërson” tonet me Ramën

23.04.2019 - 19:32

Ditë më parë ministrja e arsimit, Besa Shahini njoftoi me anë të një konference për shtyp ristrukturimin e Drejtorive dhe Zyrave Arsimore në vend.

Shahini theksoi se nuk do të ketë shkarkime të punonjësve, por riorganizimi do të prekë disa nga udhëheqësit e disa prej Drejtorive dhe Zyrave Arsimore, ankesa për të cilët kanë qenë të shumta.

Ristrukturimi do të realizohet, sipas njoftimit, para maturës shtetërore, ku nga 38 drejtori dhe zyra arsimore do të kemi 56.

Pjesë e këtij vendimi ishte dhe zhvendosja e disa prej Drejtorive Rajonale Arsimore, si ajo e Elbasanit në Korçë dhe e Shkodrës në Lezhë.

besa shahini-konica.al

Kjo zhvendosje e fundit është kthyer edhe në një temë mjaft të nxehtë për kryeqendrën e veriut.

Pas njoftimit të ndryshimit kryebashkiakja Voltana Ademi i ka dërguar një shkresë zyrtare prefektit dhe kryeministrit Edi Rama që të anulojë këtë vendim, të cilin e ka konsideruar si absurd.

Gjithashtu, një reagim ka pasur edhe nga ana e këshilltarëve bashkiakë, të cilët e kanë cilësuar zhvendosjen e DAR nga Shkodra në Lezhë, si diskriminuese dhe të papranueshme.

Vetë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, në një reagim në rrjetet sociale akuzon kryeministrin Edi Rama se me vendimin e zhvendosjes së DAR Shkodër në Lezhë, tregoi edhe njëherë tjetër urrejtjen që ka për kryeqendrën e veriut.

Madje, kryebashkiakja shkon edhe më tej në këtë aspekt, pasi sipas saj, Rama po ia kalon edhe Enver Hoxhës.

“Nuk kam pritur asnjëherë lajme të mira për Shkodrën nga kjo qeveri.

Edhe sot, erdhi një tjetër lajm i keq, i shëmtuar, në kufijtë e të pabesueshmes. Shkodra nuk do të ketë më Drejtori Arsimore Rajonale por do të jetë në varësi të Lezhës, ku do të ketë qendrën një nga katër Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar.

Së pari flas si ish- pedagoge, atëherë si qytetare e Shkodrës por edhe kryetare e Bashkisë. Kjo qeveri, ky kryeministër, merr përsipër të tejkalojë edhe diktatorin komunist për 45 vite. Edhe pse Shkodra e shkodranët përjetuan persekucionin më të egër në vend, Instituti i Lartë Pedagogjik ishte më cilësori në vend, duke i dhënë arsimit shqiptar mijëra mësimdhënës që u shquan me kontributin e tyre anekënd Shqipërisë.

E sot, kur Shkodra ka një universitet, Edi Rama po i heq Drejtorinë Arsimore Rajonale, duke e kthyer në një zyrë, si ato që sot janë në Pukë e Malësi të Madhe, në varësi të DAR Shkodër.

Unë nuk dua ta shikoj thjesht si çështje krenarie por e cënimit të mundësisë për zhvillim largimin e DAR nga Shkodra. Aq më shumë, kur kjo çmenduri e qeverisë aktuale (sepse nuk mund ti gjej emër tjetër), vjen pasi u larguan edhe dy drejtori të tjera të rëndësishme si ajo e Arkivave dhe e Ujrave.

Një logjikë normale njerëzore, nuk gjen një arsye, një motiv që të justifikojë këtë veprim të qeverisë. As edhe hakmarrja, përmes të cilës po e trajton Shkodrën prej 6 vitesh ky kryeministër, nuk mund të jetë motiv.

Sa nuk është vonë, i bëj thirrje publike Ministrisë së Arsimit, ministres Shahini dhe vetë kryeministrit Rama: Tërhiquni sa jeni në kohë! Tërhiquni sepse do të ndjeheni të turpëruar përjetë jo vetëm përballë Shkodrës e shkodranëve por edhe Shqipërisë e shqiptarëve kudo ku janë.

E në fund, dua t’u kujtoj se nuk mund ta gjunjëzoni Shkodrën! Nuk ia doli komunizimi me diktatorin Enver Hoxha, e nuk do t’ia dalë as neokomunizmi i ditëve të sotme.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Jazz 'pushton' Shkodren

“Shkodra Jazz Festival”

Java Evropiane e Lëvizjes

“Dita e Biçikletave” në Shkodër