MENU
klinika

Përpara sezonit turistik

Durrës/ Bashkia jep zgjidhje për ujërat e zeza

14.04.2019 - 13:33

Ujërat e zeza kanë qenë gjithmonë një problem për pushuesit në Durrës. 

Derdhja e tyre e ndot jo pak detin dhe kjo i ka bezdisur së tepërmi vizitorët dhe banorët. Por bashkia bregdetare pretendon se këtë vit bën ndarjen e madhe nga ky fenomen përmes disa investimeve.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve, Spartak Kovaçi u shpreh se të gjitha bizneset dhe banesat në vijën bregdetare janë lidhur me impiantin e trajtimit të Ujërave të Zeza.

“Nga ura e Dajlanit deri tek përroi i Agait të gjithë qytetarët, të gjithë bizneset janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve. Këto kanalizime shkojnë në impiantin e trajtimit që është në Shën Vlash dhe nga aty përpunohen dhe dalin të pastra në det. E gjithë kjo zonë nuk ka më gropa spektike dhe nuk ka më derdhje në det.”, u shpreh ai.

Para nisjes zyrtare të sezonit, Durrësi pritet të vërë në funksionim edhe ujësjellësin e ri, që sipas Kovaçit do të trefishojë sasinë me të cilën do të funizohet qyteti.

“Investimi fillon nga Fushmiloti dhe përfundon në qytetin e Durrësit. Do trefishohet sasia e ujit në qytet dhe ne brenda një kohe të shkurtër do të shkojmë në 24 orë furnizim për të gjithë qytetin.” theksoi drejtori.

Mungesa e pastërtisë është evidentuar shpesh si shqetësim për pushuesit dhe pengesë për zhvillimin e turizmit në bregdetin e Adriatikut.