MENU
klinika

Premier League

Everton ‘poker’ ndaj Manchester United/ ‘Djajtë’ larg Championsit

21.04.2019 - 17:08

Manchester United ka marrë një goditje të rëndë në luftën për zonën Champions në Premier League.

Vetëm pak ditë pas eliminimit nga Barcelona në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, “Djajtë e Kuq” u mposhtën thellë 4-0 në “Goodison Park” ndaj Evertonit.

Skuadra e Solskjaer zhvilloi një nga ndeshjet më të dobëta të sezonit, ndikuar ndoshta edhe nga lodhja në sfidën me Barcelonën, duke pësuar nga dy gola në çdo pjesë. Në fraksionin e parë Riçarlison, hapi shifrat në minutën e 13-të, ku pas një rivënie të gjatë anësore, me një kthesë, shtangu De Gean, duke tundur rrjetën.

Në minutën e 28-të, pas një kundërsulmi të shpejtë të Evertonit, pranë zonës topin e mori Sigurdsson, që lëshoi një të djathtë nga shumë larg portës, dhe dyfishoi rezultatin. Në pjesën e dytë, pati kohë edhe për dy gola të tjerë.

Me një të majtë vrastare, Digne mposhti nga jashtë zone De Gean për herë të tretë. Evertoni nuk u ndal dhe në minutën e 64-t, me Sigurdson Uollkot, gjen veten përballë De Geas, duke ia kaluar topin poshtë këmbëve këtij të fundit.

Manchester United mbetet në vendin e 6-të me 64 pikë, duke humbur terren ndaj skuadrave rivale si Tottenhami, Chelsea dhe Arsenali.