MENU

Autorizohet edhe nga Autoriteti i Konkurrencës

Finalizohet shitja e Telekom Albania

14.04.2019 - 21:22

Autoriteti i Konkurrencës autorizoi këtë javë shitjen e kompanisë Telekom Albania te konsorciumi bullgar Albania Telecom Invest.

Shitja ishte miratuar në muajin mars edhe nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, si kusht i përcaktuar në autorizimin individual për përdorimin e radiofrekuencave. Autorizimi nga Autoriteti i Konkurrencës i hap rrugë finalizimit të transaksionit dhe zyrtarizimit të konsorciumit bullgar si pronar i ri i kompanisë së parë të telefonisë celulare në Shqipëri.

Komisioni i Konkurrencës është shprehur në vendim se pala blerëse nuk është e pranishme në tregun përkatës dhe blerja e aksioneve nuk sjell përqendrim në strukturën e tij.

Megjithatë, sipas vendimit, veprimtaria e Telekom Albania do të mbahet në monitorim njëvjeçar nga ky institucion. Kompania duhet të njoftojë paraprakisht pranë Autoritetit të Konkurrencës të gjitha ndryshimet e kryera në paketat dhe tarifat standarde, si dhe në ofertat promocionale që do të hedhë në treg, gjatë periudhës së monitorimit.

Marrëveshja për shitjen e 99.76% të aksioneve të Telekom Albania nga grupi grek Cosmote te konsorciumi bullgar Albanian Telecom Invest u zyrtarizua në janar të këtij viti, për një shumë prej 50 milionë eurosh.

Vitin e kaluar, qeveria shqiptare pengoi finalizmin e marrëveshjes me Telekom Srbija, që kishte ofruar 61 milionë euro për blerjen e Telekom Albania.

Fokusi i diskutimeve, kursi i këmbimit dhe kreditimi

BSH-FMN takim për ecurinë e sistetimit bankat

Projektet për zhvillimin e zonave rurale

Denaj: Mbështetje fermave familjare

Përmirësimi i shërbimit, reduktim drastik i ankesave

OSHEE: Ulen humbjet në 26,2%