Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka dalë sot në konferencë për shtyp teksa ka folur për ndeshjen e radhës, ditën e nesërme në kampionat ndaj Luftëtarit.
Skuadra kryeqytetase vjen pas disfatës në kupë pikërisht ndaj gjirokastriteve, megjithatë kreu i pankinës së kuqe tha se ndeshjet janë të ndryshme, teksa ndër të tjera e pranoi se ekipi në këto momente po e ndjen disi lodhjen.
Ndërsa sa i përket gjobës së përfolur nga presidenti Demi, tekniku tha se lojtarët kanë një marrëveshje me presidentin për objektivat e sezonit.
Për ndeshjen ndaj Luftëtarit dhe mungesat
“Nuk janë dy ndeshje të njëjta ndaj Luftëtarit. Skuadra është paksa e lodhur, dhe impenjimi ndoshta nuk ka qenë në nivelin maksimal. Kemi pasur shumë mungesa në 2 ndeshjet e fundit.
Besoj se do të kemi rikthime, Hila është kthyer, ndërsa Bardhi do të kontrollohet sot. Më vjen keq, pasi janë lojtarë të rëndësishëm dhe uroj të jenë gati sa më shpejt. Shpresoj që Hebaj të jetë gati për fazën tjetër”.
Në lidhje me gjobat nga Presidenti
“Gjobat janë kompetenca të presidentit, por ka marrëveshje me lojtarët për disa objektiva. Megjithatë është marrëveshja që objektivat duhet të arrihen dhe nëse merr masë nuk asgjë.
E rëndësishme që Asani reagimin nuk e ka kudër klubit, por e ka me veten e vetë. Kam folur me Asanin dhe e rëndësishme është që veprime të tilla të mos përsëriten dhe të japi kontribut për skuadrën.
Asani dhe Trashi do jenë në fushë këtë fundjavë, nuk kanë bërë asgjë serioze për të menduar ndëshkimin”.
Lodhja fizike dhe ana psikologjike
“Lodhja fizike ka ndikim dhe te ana psikologjike, skuadra po luan shumë dhe po sforcohet, dhe ndonjëherë gjërat nuk dalin ashtu si duam. Për titullin mendojmë vetëm ndeshjen e radhës, janë përpara 9 finale, kaq mjafton, duam fitoren nesër dhe asnjë dëmtim”.
Mbi dhunën e fundit
“Unë punoj në një ambient shumë komod dhe të qetë, të tjerat nuk na takojnë. Jemi munduar të jemi shembullorë, duhen sjellje perfekte. Më vjen keq për ato që ndodhën, por është një kulturë e ndërtuar në vit”, – tha Skënder Gega.