Java e 27-të e Kategorisë në futboll është hapur me dy surpriza. Kështu, Laçi ka fituar thellë 5-0 në shtëpi ndaj Teutës, duke lënë pas eliminimin në Kupë.
Ndërsa Kukësi ka humbur 2-1 në Fushë-Krujë përballë Kastriotit dhe tashmë Partizani ka shansin të shkëputet edhe më shumë, teksa pret Luftëtarin në “Selman Stërmasi”.
Një ndeshje e mirë e kurbinasve, që tregon një formë të mirë dhe tanimë e sheh veten dy pikë larg vendit të tretë që mbahet nga durrsakët.
Skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi e “dhuroi” golin e parë, teksa ishte Hidi që bëri një gabim dhe Okpotu u tregua i saktë dhe shënoi.
Bardhezinjtë janë të kujdesshëm dhe me një Mane në formë shënojnë edhe golin e dytë. Senegalezi shërbeu për Xhixhën, i cili në dy tentativa shënoi.
Pjesa e dytë nisi me Teutën në sulm, por ishin kurbinasit ata që shënuan sërish. Këtë herë Mane shërbeu për Lushkjen. Kavajasi realizoi golin e tretë.
Domgjoni pak minuta më pas realizoi “pokerin”, kurse për ta mbyllur në mënyrën më të mirë mendoi Xhixha. Sulmuesi i bardhezinjve befasoi Hidin me një gjuajtje nga distanca.
LAÇI-TEUTA 5-0
Okpotu 25′, Xhixha 32′, 78′ Lushkja 65′, Domgjoni 68′
Laçi: Selmani, Shtubina, Toro, Gjoni, Mersinaj, Eller, Lushkja, Çokaj, Okpotu (Domgjoni 61′), Xhixha (Deliu 80′), Mane (Jonuzi 69′). Trajner: Sulejman Starova
Teuta: Hidi, Beqaj, Bicaj, Arapi, Hakaj, Gashi, Avdyli, Kallaku, Vecaj (Vila 61′), Vajushi, Bushiç (Kamara 43′). Trajner: Bledi Shkëmbi
Gjyqtarë: Ardian Beqiri, Rejdi Avdo, Ergin Doda, Orlando Kuka
Kartonë të verdhë: Okpotu 24′, Shtubina 39′, Xhixha 76′ / Hakaj 15′
Kastrioti ka marrë një fitore jetike 2-1 përballë Kukësit, duke përmbysur në pjesën e dytë golin e Shkurtajt. Ekipi i drejtuar nga Bledar Devolli është rikthyer te fitoret pas humbjes në Durrës dhe tri pikët kundër verilindorëve të Kukësit, janë të arta për ta.
Shkurtaj në minutën e 33’ shënoi golin e tij të dytë me fanellën e Kukësit në kampionat dhe i dha avantazhin Kukësit, që bëri një lojë më të mirë në pjesën e parë. Por në 45 minutat e dyta, Kastrioti bëri gjithçka mirë dhe arriti ta përmbysë takimin.
Roxher në minutën e 63’ dhe Ndreca në të 89-ën i dhanë fitoren Kastriotit, që tani i ka sytë nga dy rivalët e tjerë për mbijetesë, Luftëtari dhe Tirana.
KASTRIOTI – KUKËSI 2-1
Roxher 63′, Ndreca 89′ / Shkurtaj 34′
Kastrioti: Çekrezi, Husein, Bojom, Çela, Ndreca, Shehu, Ymeraj, H, Marku, Bardhi, Kalaja, Roxher. Trajner: Bledar Devolli
Kukësi: Frashëri, Maliki (Et’hemi 69′), Krasniqi (Xhemaili 12′), Cuculi, Rrumbullaku, Çyrbja (Rama 77′), Limaj, Rroca, Uilliam, Rexhinaldo, Shkurtaj. Trajner: Ramadan Ndreu
Gjyqtarë: Eldorian Hamiti, Nuri Rrapaj, Arbër Zalla, Olsid Ferataj
Kartonë të verdhë: Cuculi 18’, Xhemaili 45′