Vënia në përdorim të inteligjencës artificiale (IA) për aplikacionet mjedisore, mund të rezultojë me reduktim të emetimeve të gazrave serë, që në nivel global mund të shkojë në katër për qind deri në vitin 2030, flasin të dhënat e një raporti të publikuar.
Rrjeti multinacional për shërbime profesionale PricewaterhouseCoopers (PwC UK), publikoi sot një raport në të cilin thuhet se reduktimi i emetimeve është i barabartë me 2.4 gigaton.
“IA mund të përdoret në një gamë të gjerë të sektorëve ekonomikë ku do të kontribuonte në menaxhimin e ndikimeve mjedisore dhe ndryshimeve klimatike”, tha PwC UK në raportin të cilin e kishte përpiluar me kërkesë të kompanisë Microsoft.
Disa nga shembujt e dhënë në raportin në fjalë përfshijnë rrjetet energjetike të pastra të cilat shpërndahen nga IA, zinxhirë të qëndrueshëm të furnizimit si dhe monitorimi dhe zbatimi i një parashikimi dhe reagimi të menjëhershëm në raste të fatkeqësive natyrore.
Paralelisht me përmirësimin e produktivitetit, thotë raporti, IA mund të krijojë 38.2 milionë vende të reja pune në rrafsh global, duke ofruar profesione më të kualifikuara si pjesë e këtij tranzicioni.
Raporti në fjalë është i mbështetur në disa parime të cilat do të maksimizonin potencialin e IA për mjedisin, siç janë: lehtësimi i ndërgjegjësimit, adresimi i nevojave të infrastrukturës digjitale, sigurimi i mundësive dhe trajnimeve për aftësimin dhe ri-kualifikimin për t’iu përshtatur transformimeve sektoriale, si dhe inkurajimi i kërkimit dhe zhvillimit.