Klani tradicionalisht është një grup ku lidhja për nga gjaku është bazë e tij.
Qëllimi i kësaj lidhje është mbrojtja e plotë e grupit, nga familja tek kushërinjtë e deri tek miqtë dhe miqtë e miqve. Ata kanë një stërgjysh që i drejton. Deri këtu, në kondita historike kur klani ishte i vetmi pretendim i shoqërisë si e vetmia fuqi mbrojtëse e njerëzve të gjakut, çdo gjë qëndronte në natyrën e saj. Struktura e klanit është struktura shekullore e shoqërisë shqiptare.
Në të gjithë shekullin XX, sado u ndërtuan shtete shqiptare ato përfunduan gjithnjë në strukturën klanore. Në 30 vjetët e fundit shteti nuk arriti të ndërtohet, sepse struktura klanore e bëri të pa mundur ndërtimin e Drejtësisë, thelbi shteti demokratik duke treguar se demokracia kish qenë një pretendim shumë më i lartë se vetë mundësia e shoqërisë klanike shqiptare.
Ai është bërë pengesa e vetme e kalimit të shoqërisë në një nivel më të lartë sepse ai bëhet burimi i një konflikti të fortë material midis interesit të grupit dhe interesit të gjithë shoqërisë. Fakti është që klanet në Shqipëri u bënë puset që thithen me miliarda euro të cilat nuk shkuan për zhvillimin ekonomik të vendit por u përqendruan në kontot e fshehura bankare ose në pasuritë imobiliare. Në planin politik klanet u bënë vrasës të ekonomisë së vendit, të frymëzimit demokratik dhe të Shtetit të së Drejtës dhe Vlerave Universale të njeriut.
Cilësitë e klanit dhe shoqërisë me klane
1–Lidhja familjare. Ajo mbetet bërthamë kryesore e tij.
2- Interesi ekonomik. Në qoftë se në fillim, arsye e parë e domosdoshme dhe frymëzuese e krijimit të klanit ishte lidhja e gjakut, arsyeja e dytë e zhvillimit e përhapjes së klanit në anëtarë të rinj bëhet interesi ekonomik. Ai do të bëhet shkaku i vetëm i lidhjes midis anëtarëve të klanit.
Kështu klani mbyllet brenda interesit të tij dhe bëhet i padepërtueshëm nga ligji i shoqërisë që është Kushtetuta, esenca e së cilës është Shteti i së drejtës. Ai bëhet i padepërtueshëm për çdo ide tjetër që mbron interesin e përgjithshëm të shoqërisë. I pa depërtueshëm për një opozitë interesash, të shprehura këto në ide politike filozofike dhe morale ashtu dhe në ide urbanistike, arkitekturale ose edukative dhe diplomatike.
Është për këtë arsye që klani ngre në qiell Ligjin që ka bërë vetë; Madje nuk heziton t’i bëjë moral anarkistëve (ata që i kundërshtojnë ligjin e tij) mbi shtetin ligjor.
Por shtet ligjor kishte dhe Zogu dhe Enver Hoxha.
Ndërsa klani nuk flet për shtet të së Drejtës dhe për të Drejtat universale të njeriut, sepse këto i prishin strukturën Klanit. Prandaj dhe drejtësia nuk mundi të lulëzojë si institucion i shtetit me kushtetutë demokratike në Shqipëri edhe 30 vjet më pas. Shembulli i vendit tonë është spektakolar.
Opaciteti. Interesi ekonomik i klanit nuk do të shkruhet asnjëherë, ai vetëm do të nënkuptohet. Ky nënkuptim do të krijojë opacitetin e klanit përballë shoqërisë. Klani shqiptar ka rënë në rrjetën e superklaneve ndërkombëtare të quajtura «Loby» në emër të përgjithshëm ose Soros në emër të përveçëm. Ky opacitet ka paralizuar më keq akoma njeriun shqiptar që nuk ka besim tek vetja dhe e ardhmja. Ky opacitet i jep qetësinë, sigurinë dhe talljen shefit të klanit edhe përpara një mundësie Vettingu, nëse edhe ky bën pjesë në klan.
4– Shefi, bëhet kufiri imagjinar dhe real i lirisë politike. Autoriteti i klanit është vetëm shefi i tij. Shefi vendos që në fillim raportin e forcave në favor të vetes pastaj të grupit. Shefi bëhet për natarët e klanit, jo vetëm paraja, por edhe jeta edhe mendimi edhe shija – të gjitha këto të mbështetura në frikën e humbjes së ekzistencës nga ku lind dhe besnikëria ndaj shefit.
5- Besnikëria ndaj klanit. Në psikologjinë e mbi ekzistencën mendja dhe shpirti i njeriut dridhet e spërdridhet jashtë çdo logjike të arsyes ose etikës duke krijuar konfliktin shpesh herë më të fortë brenda vetë njeriut, midis vlerave të tij morale dhe vlerave indiferente ndaj moralit të klanit. Kjo besnikëri është një domosdoshmëri ekzistence, nuk është besnikëri e qytetarit ndaj Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, nuk është shumë herë as besnikëri ndaj vetes.
6– Klani pushton politikën për të ruajtur interesat e tij ekonomikë. Klani sulmon e pushton partitë politike që u ngritën me pjesëmarrjen e natarëve të sinqertë me bindjet politike.
Dhe këtu ndodh krimi i padukshëm në lidhje me të ardhmen : klani tallet me Kushtetutën
7- Absurditeti Etika e heshtur por tepër e fuqishme e klanit i merr frymën aq shumë etikës së Shtetit të së Drejtës dhe barazisë sociale përpara ligjit që kërkon populli, sa krijohet tek njerëzit një shije e paarsyeshme për absurditetin, të cilin komiku (A. Llaka) e prezanton me mjeshtëri: me njerëzit që hyjnë aty ku shkruhet «Dalje», dhe dalin e aty ku shkruhet «Hyrje». E kjo bën që antari i shoqërisë “të qajë në festa e të qeshë në vdekje” Ushqimi i përditshëm shpirtëror është vuajtja nga pamundësia reale e idealit demokratik.
8– Norma praktike është «modelit psikologjik i klanit», i cili bëhet model imitimi për individin. Klani është bërë njësi funksionale dhe e gjithë shoqëria fillon në normalitet të imitojë klanin. Në këtë model psikologjik pavarësia e mendimit humb. Njeriu humb pavarësinë e vet. Njerëzit përpara se të mendojnë ligjin, përpara se të mendojnë principin etik të shoqërisë demokratike do ti bëjnë analizat në funksion të interesit të klanit Ose e përjashtojnë ligjin ose e shfrytëzon atë duke përdorur një dredhi : justifikimin e Lirisë së vet individit. Në të dy rastet është interesi i grupit, jo ai i të gjithë shoqërisë që vihet në plan të parë. Ushqimi shpirtëror i kësaj norme është korrupsioni.
9- Norma filozofike. Në planin filozofik « modeli i klanit » i përkon sistemit të mbyllur, ku e vërteta është vetëm ajo që paraqet shefi i klanit? Dhe kjo, në të gjitha fushat e jetës jo vetëm në politikë por edhe në ekonomi edhe në arsim e kulturë. Kjo shpjegon përse klani nuk e merr parasysh mendimin e intelektualëve madje tallet me to. Historikisht goditja më e madhe që ju dhe klanit që shënoi edhe hapjen e sistemit ishin Revolucioni francez dhe ai amerikan me kushtetutat e tyre, të cilat vendosën shoqërinë e të Drejtave të Njeriut dhe ndanë tre pushtetet në pavarësinë e tyre.
Si konkluzion: Klani dhe klanet e thyen dhe e banalizuan etikën e përbashkët duke u justifikuar moralisht, se e përbashkëta është një nocion i komunizmit. Në mungesë të një etike të përbashkët jo vetëm njeriu që është i pa punë por edhe i punësuari çorientohet, humb besimin, themelin e një «etike të përbashkët» pa të cilën një shoqëri nuk mund të ekzistojë.
Nga ky çast, ai në vend që të kuptojë se struktura shoqërore që mirëmban humbjen e besimit është klani dhe «modeli klanik i psikologjisë» i hedh përgjegjësinë identitetit shqiptar dhe lëshon me hidhërim: «Ne nuk bëhemi kurrë!»
Demokracia nuk ka armik vetëm Diktaturën por edhe shoqërinë me klane dhe shtetin klanik.
Kjo ishte faza e tranzicionit që zgjati 30 vjet në konkurrenca midis klaneve dhe Kushtetutës demokratike. Në këtë konkurrencë fituan klanet. Ata u pasuruan. Populli mbeti i varfër dhe si në ikje nga vendi edhe në qëndrim tha: “Ne s’bëhemi kurrë!” Nuk na mbetet vetëm se të korrigjojmë gabimin! Këtë herë gabimi ka nevojë për autoritetin e Drejtësisë së Shtetit Demokratik jo për autoritetin e drejtësisë së klanit. Vetëm kjo është rruga për të çarë malin e forcës së zakonit në “modelin psikologjik të klanit” tek njeriu shqiptar.
Prindërit, shkollat, intelektualët parlamenti duhet të krijojnë një ideal të ri, transparent e të kthjellët për të emancipuar shoqërinë tonë që rënkon nga sytë opakë të klanit e thotë “Ne nuk do bëhemi kurrë”