Pesë persona kanë përfunduar në pranga ditën e sotme, si dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim në kuadër të operacioneve të zhvilluara për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni në fjalë u zhvillua nga Policia e Kurbinit në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Sipas policisë, këtë persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin po përgatisnin terrenin për të mbjellë lëndë narkotike në Godull.
Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armë zjarri e municione luftarake, kubikë të porsa mbjellë me kanabis dhe lëndë narkotike kokainë.
Njoftimi i policisë:
“Mega operacioni i koduar “Godull 2019”, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni nga Komisariati i Policisë Kurbin, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe FNSH-ja.
Sekuestrohen armë zjarri e municione luftarake, kubikë të porsa mbjellë me kanabis dhe lëndë narkotike kokainë. 5 persona në pranga dhe 2 në kërkim.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, për marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, duke ushtruar kontroll periodik të territorit, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për disa shtetas që përgatiteshin për të kultivuar bimë narkotike në zonën e quajtur Godull, është organizuar dhe zhvilluar operacioni i koduar “Godull 2019”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– B. Sh., 39 vjeç, banues në Mamurras
– K. K., 59 vjeç, banues në Fushë Krujë
– K. Sh., 34 vjeç, banues në Mamurras
– Gj. N., 34 vjeç, banues në Lezhë
– V. Z., 41 vjeçe, banuese në Kurbin
Gjithashtu u shpallën në kërkim dy persona që po punohet intensivisht për kapjen e tyre. Gjatë operacionit në territor në Godull Adriatik, në Njësinë Administrative Fushë Kuqe në Kurbin, u evidentuan kubikë të porsa mbjellë me fara kanabisi, si dhe sende të tjera që do të shërbenin për kultivim të bimëve narkotike.
Më cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
-8000 kubikë ku ishin mbjellë fara kanabis sativa;
– 5 doza të dyshuara lëndë e fortë narkotike kokainë;
– 2 armë zjarri “pistoleta”;
– 1 armë zjarri automatik;
– 1 armë gjahu “shotgun”;
– 680 fishekë, dylbi e thikë;
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të proceduar u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Kurbin për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, njofton policia.