Partizani humbi dy ndeshje radhazi me Luftëtarin dhe kjo ka sjellë jo pak pakënaqësi në radhët e tifozërisë së kuqe, por duke qenë se ekipi është në krye, “Guerrils” lëshojnë apelin e radhës.
Nesër në “Selman Stermasi”, Partizani do të ketë rastin të “shkurorëzojë” Skënderbeu dhe “kurorën” ta marrë për vete.
Sigurisht, kjo vlen nëse kryesuesit e Superiores, me 9 pikë distancë nga ndjekësit më të afërt, fitojnë ndaj Skënderbeut dhe vijojnë në këtë drejtim.
Prandaj, “Ultras Guerrils” kanë njoftuar se do të jenë në stadium, në mbështetje të skuadrës së zemrës, të cilën e shikojnë 8 ndeshje larg ëndrrës së madhe, e cila mbetet e parealizuar që nga viti i largët 1993.
NJOFTIMI I ‘GUERRILS’
“Edhe 8 ndeshje larg ëndrrës sonë të madhe! Faza e fundit nis nesër, me ndeshjen kundër Skënderbetit, e mërkurë, ora 18:30.
Nëse mendoni se një humbje do të na trembë, e keni gabim! Jemi 9 pikë para dhe mbështetja jonë do të vijojë njësoj, e fortë dhe masive, sikur kemi qenë 9 pikë pas, apo në luftë për mbijetesë.
Dashurinë tonë, përkushtimin tonë dhe sakrificën tonë do ta vijojmë njësoj, përtejt rezultatit! Partizani ka nevojë për të gjithë ne, për të lënë pas shpine një moment të keq.
Ky moment nuk duhet kurrsesi të ndikojë këtë vit fantastik, të cilin pakkush nga ne e kishte shpresuar të ishte i tillë.
Besojmë se ky është viti ynë dhe të mërkurën kemi ndeshjen e radhës. Asnjë të mos mungojë! Fitojmë, festojmë veç për Partizanin!”