E ka nisur keq, por Liverpool ka përmbysur gjithcka në Southampton, duke fituar 3-1 dhe rimarrë kreun e renditjes në Premier League, por City ka një ndeshje më pak.
Shane Long ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 9-të për vendasit dhe ky ka qenë goli i 5000-të i pësuar nga Liverpool në kategorinë kryesore të futbollit anglez dhe ka ardhur pothuajse pas 125 vitesh.
Liverpool është kundërpërgjigjur me Naby Keita në minutën e 36-të, por i është dashur të presin minutën e 80-të për të realizuar të dytin me Salah, i cili ka dërguar topin në rrjetë pas një aksioni individual të mrekullueshëm.
Egjiptiani, qw nuk shënonte në kampionat prej gjashtë ndeshjesh, ka realizuar 50 gola në 69 ndeshje për Liverpool-in në Premier League, vetëm Alan Shearer (66 – Blackburn) dhe Ruud van Nistelrooy (68 0 Man United) e kanë arritur këtë shifër në më pak ndeshje.
Katër minuta para fundit ka ardhur edhe goli i Henderson, që ka vulosur shifrat në 3-1.