Kylian Mbappe shkëlqeu dje me tre gola në fitoren e Paris Saint Germain ndaj Monaco, e cila siguroi edhe matematikisht titullin kampion të Ligue 1 për gjigantët e “Parce des Princes”.
Njëri nga golat e talentit 20-vjeçar ishte mahnitës, sepse u shënua pas një kundërsulmi rrufe dhe një sprinti nga mesi i fushës, me një distancë prej 50 metrash.
Pas ndeshjes, televizioni francez analizoi aksionin në fjalë dhe përllogariti shpejtësinë prej 38 km/orë të talentit francez.
Një nga lojtarët më të shpejtë të Premier Leagues, Leory Sane vendosi shpejtësinë maksimale sezonin e kaluar duke regjistruar shpejtësinë 35.48 km/orë.
Ndërkohë shifrat e Mbappe janë të denja për ta konsideruar francezin si “njeriu i erës”.
Usain Bolt, kampioni i shumëfishtë i Atletikës në garat e shpejtësisë, vendosi rekordin botëror të tij, 100 metra për 9.58 duke arritur shpejtësinë maksimale 44.72 km/orë, ndërkohë që shpejtësia e tij mesatare në vrapime është 37.58 km/orë.
Me golin e djeshëm ylli francez, tejkalon në këtë mënyrë edhe shpejtësinë mesatare të ‘mbretit’ të atletikës.