“Pas ndarjes së kufirit mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, atëherë mund të veprojmë”, kështu është shprehur ministri serb Aleksandar Vulin, i cili tha se ai do të angazhohet për një ndarje të Kosovës dhe një përcaktim të qartë kufitar mes shqiptarëve dhe serbëve.
Këtë deklaratë ai e bëri në një intervistë të dhënë për “Vecernji Novosti”, ku tha se “Shqipëria e Madhe është krijuar tashmë”.
“Shqipëria e Madhe është krijuar tashmë. Çështja është se sa pjesë të shteteve të tjera do të përfshihen. Me hyrjen e Maqedonisë Veriore në NATO, të gjithë shqiptarët, duke përjashtuar dy komunat në Serbi, do të jetojnë në një zonë unike të sigurisë dhe hapësirën politike të NATO-s. Të gjithë shqiptarët kudo jetojnë, udhëhiqen nga Tirana”, nënvizoi Vulin.
Për Vulin, ndarja e mundshme e Kosovës duhet të vendoset me referendum nga populli.
“Sa më shpejt që t’i ndajmë shqiptarët prej nesh, aq më lehtë do ta kemi të përparojmë”, tha më tej Aleksandar Vulin.