MENU
klinika

Investimet në Ballkanin Perëndimor

Miratohet gjurma definitive e korridorit Adriatiko-Jonian

17.04.2019 - 19:20

Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar u mbledh sot më datë 17.4.2019 për të marrë në shqyrtim propozimet e dërguara nga Konsulenti “Konsorciumi i Kompanive WYG-COWL-Atkins-Arup”, për studimin e fizibilitetit për projektin: Korridori Rrugor Adriatiko-Jonian (seksioni rrugor 1 dhe 2) Mali i Zi dhe Shqipëri.

Në përfundim të prezantimit dhe diskutimeve vijuese, Këshilli Teknik miratoi gjurmën definitive të Korridorit, mes disa alternativave, duke i hapur rrugë njëherë e mirë financimit të përgatitjes së projektit përfundimtar. Gjithashtu, Këshilli la detyra të mëtejshme për specifikime teknike të nevojshme, si dhe në bashkëpunim me ARRSH, Konsulenti do të bëjë një azhornim të studimit me projektet të cilat janë zhvilluar së fundmi, që janë në zhvillim e sipër ose që pritet të nisin së shpejti në menyrë që të shmangen problematikat dhe vonesa në të ardhmen.

Ky studim është financuar nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe është kryer vetëm për segmentin rrugor Mal i Zi – Shqipëri.

Kuadri i investimeve të Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian, Insitucioneve Financiare Ndërkombëtare, dhuruesve dypalësh dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Ky investim mbështet zhvillimin socio-ekonomik dhe procesin e antarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Korridori Adriatiko-Jonian është pjesë e Rrjetit Kryesor të Rrugëve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu pjesë e zgjatimit të Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili u miratua zyrtarisht në 2016-n.

Korridori Rrugor Adriatiko-Jonian do të lidhë Evropën Qendrore dhe Italinë Veriore me pjesën Joniane të gadishullit ballkanik nëpërmjet Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë.

Lidhja rrugore është planifikuar të shtrihet përgjatë bregut lindor të deteve Adriatik dhe Jon, që përfshin bregun perëndimor të Gadishullit Ballkanik nga Trieste në Itali në Kalamata, Greqi. Projekti është i përfshirë në portofolet e projekteve kombëtare shqiptare dhe malazeze dhe është një projekt prioritar i nivelit kombëtar dhe rajonal.

Gjatësia e përgjithshme e vlerësuar e korridorit Adriatiko-Jonian nga Italia deri në Greqi është përafërsisht 1,550 km.